Postuar më: 03 Maj 2016

Vend i lirë Pune -- Përgjegjës për komunikimin për Projektin “I Learn/Unë Mësoj”

Thirrje për shprehje interesi:

Përgjegjës për komunikimin për Projektin “I Learn/Unë Mësoj”

Ky publikim ka afat për dorëzimin e dokumentave deri në datë: 3 Qershor 2016

 

Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike është duke zbatuar projektin “I Learn/Unë Mësoj” të financuar nga Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Fakultetin e Shkencave të natyrës, Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk dëgjojnë, Institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë dhe Organizatën Italiane CESTAS.

Projekti ka si objektiv pajisjen me tableta dhe ofrimin e një platforme dixhitale për njerëzit që nuk dëgjojnë duke kontribuar në integrimin e tyre tërësor në shoqëri.

Procesi i mësimdhënies për grupin e fëmijëve që nuk dëgjojnë do të lehtësohet nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje përmes një programi të personalizuar. Një program kompjuterik i specializuar do të zhvillohet për të siguruar komunikimin nëpërmjet gjuhës së shenjave, program i cili do të ndikojë pozitivisht në shmangien e disa vështirësive siç është vështirësia e të shpjeguarit nga ana e mësuesve si dhe komunikimi interaktiv mes tyre dhe nxënësve të tjerë pa probleme dëgjimi.

Ky projekt propozon ngritjen e një platforme e-learning, e cila do të integrojë alfabetin multimedial daktilografik dhe fjalorin e gjuhës së shenjave të plotësuar edhe me përkthimin përkatës në gjuhën e folur. Platforma do të përfshijë gjithashtu programe, leksione për përdorimin e gjuhës së shenjave, si dhe ushtrime të posaçme për këta nxënës.  Kohëzgjatja e projektit është deri më Tetor 2016.

Ju mund të dërgoni kërkesën tuaj për të qënë pjesë e këtij projekti, duke dërguar CV-në, një letër motivimi dhe 2 letra rekomandimi, në adresën e mëposhtme: info@inovacioni.gov.al me subjekt e-maili: Pozionin Pune IADSA.

Në kuadër të këtij projekti MSHIAP fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë për pozicionet e poshtëpërmendura:

  1. Pozicioni: Koordinator/e projekti, Asistent/e Administrativ; dhe Përgjegjës për komunikimin.
  2. Kohëzgjatja e kontratave: 5 muaj

 

Pozicioni: Përgjegjës për komunikimin.

Kohëzgjatja e projektit: 5 muaj

Lloji i Kontratës: Kontratë me kohë të plotë

 

Përgjegjësi i Komunikimit është pika e parë e kontaktit të insitutucionit me publikun  dhe anasjelltas. Ai/Ajo përfaqëson mekanizmin kryesor për artikulimin efektiv dhe të përthithshëm të njoftimeve dhe komunikimeve kryesore të zhvillimeve të projektit për publikun, duke ndihmuar kështu në lehtësimin e ndërlidhjes mes këtyre aktorëve. 

Ai/Ajo përpilon strategjitë dhe sigurohet mbi mbarëvajtjen e programeve të komunikimit.

  1. Ndërton dhe manaxhon programin e komunikimit;
  2. Zhvillon dhe ndërfut strategjinë e komunikimit;
  3. Manaxhon kanalet e komunikimit dhe identifikon burimet e informacionit në tërësi;
  4. Përfaqëson pikën e parë të kontaktit;
  5. Siguron që të gjitha veprimtaritë dhe paraqitja e tyre merr në konsideratë target grupin specifik;
  6. Vepron në koherencë të plotë me objektivat e projektit;
  7. Merr përsipër përmbushjen e detyrave të tjera, plotësuese të objektivave të projektit;
  8. Koordinon punën tërësore të organizimit paraprak të aktiviteteve publike të parashikuara nga projekti;
  9. Ideimi i fushatave publicitare dhe Organizimi i konferencave të shtypit e njoftimeve për mediat për të qenë prezent në çdo event apo aktivitet me interes publik që organizon institucioni;
  10. Ngre kanale dhe ura komunikimi ndërmjet institucioneve, publikut, mediave dhe grupeve të interesit;
  11. Organizon aktivitete si seminare/workshop-e, etj.

 

Kualifikimet kryesore të kërkuara:

Kandidati që kërkon të punësohet në rolin e Përgjegjësit të Komunikimit duhet të përmbushë këto kritere:

  1. Të këtë diplomë universitare. Avantazh përbën diploma Master në komunikim;
  2. Të ketë 3-5 vjet eksperiencë pune, në fushën e komunikimit, marketingut ose gazetarisë;
  3. Aftësi të shkëlqyera në komunikim dhe aftësi të provuara të punës në grup;
  4. Eksperiencë në zhvillimin dhe implementimin e fushatave të marketingut ose atyre mediatike;
  5. Eksperiencë dhe aftësi përfaqësimi mediatik në publik ose media;
  6. Të ketë aftësi oratorike dhe elementë karizme;
  7. Të ketë eksperiencë ne organizimin e eventeve;
  8. Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe italiane;
  9. Të jetë i rekomanduar nga dy punëdhënës, të cilët i njohin aftësitë profesionale dhe personale të kandidatit/es.