Media

Media

Kuadri ligjor, që garanton pavarësinë e medias në shumë aspekte është I pazbatueshëm. Institucionet që duhet të garantojnë pavarsinë e medias nuk funksionojnë siç duhet për shkak të politizimit të skajshëm që i ka karakterizuar vitet e fundit.

 
Kthimi i medias publike në një përfaqësuese të denjë të taksapaguesit shqiptar dhe zëdhënëse të interesit qytetar, do të jetë shumë i shpejtë dhe i qëndrueshëm, falë një kuadri ligjor transparent e të zbatuar në praktikë. Marrëdhëniet me median do të rinovohen duke i dhënë fund presioneve e favoritizmit. Respekti për mendimin ndryshe dhe kritika, si burim përmirësimi e reflektimi, do të kthehet në normalitet. E drejta e informimit do të përforcohet për të gjithë, e veçanërisht për gazetarët. Për këtë, do të përmirësohen standardet ligjore të së drejtës së informimit, sipas legjislacionit të vendeve të përparuara në këtë drejtim me një sërë masash që nga monitorimi elektronik dhe transparent i kufijve kohorë për afatet e marrjes së përgjigjes nga administrata publike, hartimi i një liste shteruese të kritereve, në lidhje me rastet kur informacioni mund të refuzohet dhe kthimi në funksionalitet i faqeve zyrtare të institucioneve publike dhe ministrive, duke iu mundësuar qytetarëve akses më të madh. 


Liria e shtypit dhe pluralizmi i informacionit do të sigurohen nga një kuadër ligjor që do t'u përgjigjet tre objektivave kryesore: luftës kundër centralizimit; garancisë për një pavarësi reale të redaksive; mbrojtjes efikase të burimeve të gazetarëve. 


Për të garantuar më mirë lirinë e shprehjes, do të ndërrmarim një nismë ligjore për uljen e sanksioneve me gjoba ndaj gazetarëve dhe në rastet kur gjykata i vlerëson si gjoba të arsyeshme, të shkojnë në progres të drejtë me nivelin e pagave të gazetarëve shqiptarë. Do të vendosim kritere objektive transparente, jodiskriminuese të licensimit e një proces licensimi të drejtë dhe transparent, të administruar nga një organ realisht i pavarur rregullator. Aksesi në lehtësitë e transmetimit do të jetë një kusht i rëndësishëm licensimi, ku rregullatorit të ristrukturuar do t’i ofrohet një mandat i qartë për të parandaluar pasojat negative të monopolizimit. 


RTSH do të ristrukturohet, duke e kthyer atë në një stacion realisht publik e duke i dhënë këtij sektori forcë nëpërmjet garantimit të pavarësisë së AMA dhe RTSH. RTSH do të funksionojë në mënyrë profesionale dhe roli i Këshillit Drejtues do të përforcohet duke siguruar që të zgjedhurit në të, të jenë me kritere profesionale dhe jo partiake. Do t'i japim një mbështetje të veçantë mediave lokale (radio e televizione), të cilat banorët lokalë i ndjejnë më afër shumëllojshmërisë së problematikave të tyre të përditshme. Paralelisht do të merren të gjitha masat për ndalimin e rreptë të çdo lloj piraterie televizive. Procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s do të ndryshohen në favor të performancës profesionale, për t’u ofruar të gjithë transmetuesve vendorë e kombëtarë, trajtim të njëjtë para ligjit. 


Dixhitalizimit, që ka si afat final mesin e vitit 2015 dhe që ishte një mision i pamundur për qeverinë e Partisë Demokratike, ne do t’i përmbahemi me gjithë vonesat e trashëguara.