Administrata Publike

Administrata Publike

Administrata publike është keqpërdorur nga politika në vitet e fundit, në dëm të profesionalizmit dhe paanshmërisë së saj. Shumë vendime gjykatash për lirim të padrejtë nuk janë zbatuar, duke i shkaktuar shtetit dëm të drejtpërdrejtë ekonomik. Politizimi i administratës dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve përgjegjës ka përkeqësuar nivelin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Komisioni Evropian ka kritikuar numrin e lartë të kontratave të përkohshme në administratë. Indekset ndërkombëtarë te korrupsionit në Shqipëri janë në rritje siç e tregojnë raporti i publikuar rishtazi nga Transparency International Albania (TIA), cila e rendit Shqipërinë në vendin e 116-të, nga 177 shtete gjithsej. 


Objektivi ynë në 4 vitet që vijnë është rikthimi i dinjitetit në administratën publike, duke e çliruar nga politizimi dhe duke e profesionalizuar në të gjitha nivelet. Për të arritur këtë objektiv do të bëjmë të aplikueshëm ligjin e nëpunësit civil, duke krijuar kuadrin real të aplikimit të tij dhe duke e zbatuar atë me rigorozitet nëpërmjet konkurseve të hapura e transparente për punësimin në shërbimin civil dhe procedurave transparente të ngritjes në karrierë.

 
Do të ndërtojmë mekanizmat efikase të kontrollit në mënyrë që administrata të jetë realisht në shërbim të qytetarëve. Struktura e re qeverisë e fokuson administratën drejt rezultateve të matshme dhe një pune më efikase, me numër më të vogël punonjësish. 


Shtimi i numrit të shërbimeve publike online dhe rritja e përdorimit të tyre do të kontribuojnë në modernizimin, rritjen e efikasitetit dhe luftën kundër korrupsionit në administratë. 


Në fokus të qeverisë do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe verifikimi i cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për ta rikthyer nëpunësin e administratës në shërbyes të qytetarëve.

www.dap.gov.al