Postuar më: 18 Maj 2017

Reforma në shërbimet publike, bën bashkë 4 ministre nga Ballkani perëndimor

Për herë të parë në vendin tonë mbahet Konferenca Rajonale e Shërbimeve Publike. Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ka pritur në Tiranë tre homologet e saj, të cilat kanë folur për përvojat e tyre në ofrimin shërbimeve për qytetarët dhe reformimin në administratën publike. Pjesëmarrëse nw konferencë ishte edhe drejtoresha e Shkollës Rajonale të Administratës Publike RESPA, Ratka Sekulovic.

“Shkolla Rajonale e Administratës Publike ka një rëndësi të veçantë sepse është një nga instrumentet rajonal që është ndërtuar për të forcuar bashkëpunimin tonë. Ju e dini që 6 Kryeministrat e Ballkanit, kanë nisur një proces intensiv bashkëpunimi rajonal, i cili bëhet në kuadër të atij që quhet procesi i Berlinit dhe shkolla e Administratës është një nga instrumentet rajonal që i shërbejnë këtij bashkëpunimi. Sigurisht këto instrumente do të vinë duke u forcuar në shërbim të këtij bashkëpunimi, shembull i të cilit është dhe kjo Konferencë që ne organizojmë sot”, tha Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

Sipas saj, është administrata publike që ju shërben qytetarëve, që ju shërben bizneseve dhe për këtë arsye reforma është një detyrim për çdo vend dhe ka sfidat e saj.

“Administrata publike, është për secilën nga ne, për secilin nga vendet e Ballkanit, një prej prioriteteve të Integrimit Evropian , sepse është ajo që mbështet të gjitha reformat e tjera dhe për këtë arsye është një nga prioritetet e rrugës së Integrimit por gjithashtu është edhe një detyrim për atë çka ne ju ofrojmë qytetarëve tanë”, theksoi Harito.

Në këtë aktivitet me pjesëmarrje nga vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe ekspertë të Bashkimit Evropian të cilët kanë ndihmuar procesin e reformimit është folur sesi Qeveria duhet të përmirësojë dhënien e shërbimit për qytetarët nëpërmjet metodave inovative.

“Qeveria duhet të jetë si një Smartphone”, shkruanin të pranishmit në rrjetin social Twiter, që organizatorët e Konferencës kishin lënë të hapur në një Ledwall interaktiv.

“Është keqkuptuar nga qeveria se çfarë do të thotë realisht të jesh Ministër i Administratës Publike. Sipas mendimit tim, një vend që të mos dështojë duhet të ketë parasysh këto prioritete: Zhvillimin ekonomik, legjislacionin e përshtatur për nevojat e kohës, dhe funksionimi i administratës publike. Qeveria Shqiptare ka bërë një punë fantastike me Reformën e shërbimeve publike për qendrat e integruara të shërbimeve publike ADISA”, tha gjatë fjalës së saj, Ministrja e Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale, të Serbisë znj. Ana Brnabic.

Synimi i konferencës ishte të adresoheshin parakushtet e nevojshme për të përmirësuar performancën dhe cilësinë e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, të cilat do të sillnin sisteme transparente dhe më të përgjegjshme. Implementimi i Reformës në Adminstratën Publike mbetet një nga prioritetet kyçe për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ministret homologe Znj. Marta Arsovska Tomovska, Ministre për Shoqërinë e Informacionit dhe Administratës të Maqedonisë, dhe Ministrja e Malit të Zi, znj.Suzana Pribilovic, folën gjithashtu për përvojën e tyre në Reformën e shërbimeve publike, për vështirësitë dhe sukseset që kanë pasur gjatë reformimit të administratës publike.

Një vëmendje të veçantë iu kushtua modelit shqiptar të dhënies së shërbimeve publike, duke vendosur kështu standarde të reja në dhënien e shërbimeve publike, duke rritur transparencën, duke ulur praktikat korruptive, duke rritur efektivitetin në dhënien e shërbimeve për qytetarët , duke ulur kohën e pritjes, por pa lënë mënjanë dhe sfidat me të cilat është përballur reforma.

Konferenca për shërbimet publike ishte e nivelit të lartë ku ishin present me më shumë se 40 folës nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, 9 nga Vendet anëtare të BE, nga vendet fqinje dhe organizata dhe institucione evropiane. Kjo konferencë u organizua nga RESPA dhe Ministri Shqiptar për Inovacionit dhe Administratës Publike.