Postuar më: 23 Nëntor 2016

Procesi i negociatave me BE, ASPA rol të rëndësishëm në trajnimin e nëpunësve

Vendimi për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian e vendos Shqipërinë përpara një sërë sfidash shumë komplekse. Procesi i negociatave me Bashkimin Europian pritet të jetë shumë sfidues dhe kërkon një administratë publike të kualifikuar, e të aftë për të negociuar me sukses procesin e aderimit.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim pritet të luajë Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), e cila ka në fokusin e punës së saj formimin profesional të nëpunësve publikë.

Për të diskutuar gjerësisht këtë perspektivë si dhe për të shkëmbyer përvojat me vendet më të përparuara në këtë drejtim, në mjediset e ASPA në Tiranë është zhvilluar një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e drejtuesve të shkollave të Administratës Publike nga Italia, Franca, Polonia, Kroacia dhe Bullgaria.

Në çelje të kësaj konference Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito e shoqëruar nga ambasadori francez, Bernard Fitoussi dhe ambasadori italian Aberto Cutillo kanë vizituar ambjentet e saporikonstruktuara të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, e cila tashmë do të ofrojë kushte optimale për zhvillimin e trajnimeve dhe kualifikimit të nëpunësve civilë.

Duke marrë fjalën në konferencë, ministrja Harito theksoi volumin e punës që ka përballuar ASPA gjatë tre viteve të fundit: “Në tre vjet kemi 3 herë më shumë punonjës të administratës që janë trajnuar në këtë shkollë. Në periudhën 2015-2016 janë gjithësej 13 mijë nëpunës civilë që janë trajnuar dhe nga ana tjetër është shumëfishuar me 8 herë numri i ditëve të trajnimit të nëpunësve”.

Ministrja ka nënvizuar jo vetëm kontributin e qeverisë por edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në procesin e trajnimit dhe kualifikimit të administratës. “Shkolla Shqiptare e Administratës Publike është forcuar e konsoliduar gjatë këtyre 3 vjetëve. Buxheti i saj në këto 3 vite është rritur pothuajse 50%. Ne kemi pasur në këtë fushë edhe mbështetjen e partnerëve në aspekte të ndryshme si për shembull Këshillin e Europës për trajnimin e nëpunësve civilë të pushtetit lokal, kemi pasur mbështetje me ekspertizë nga dy shkollat prestigjoze të Francës dhe të Italisë, kështu që ASPA ka pasur mundësinë të realizojë të gjitha objektivat e veta”, u shpreh ministrja Harito.

Konferenca ka shërbyer si një platforme për krijimin e një rrjeti Evropian për ASPA-n, i cili do të ofrojë shkëmbim të vazhduar të programeve, metodave dhe materialeve të trajnimit.