Postuar më: 25 Prill 2017

Prezantohet sistemi i ri, pagat e administratës tani me menaxhim të unifikuar

Të gjitha institucionet e administratës shtetërore tani e tutje do të duhet të përdorin një sistem unik dhe të standardizuar për të hartuar dhe menaxhuar pagat e punonjësve të tyre. Sistemi informatik është ndërtuar nga Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe do të jetë i detyrueshëm për t’u përdorur nga të gjitha institucionet shtetërore.

Ky sistem është prezantuar gjatë një takimi të zgjeruar që drejtuesit e DAP kanë zhvilluar me rreth 300 përfaqësues të sektorëve të financave nga institucionet e administratës. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Zv.ministri i Financave, Ervin Mete.

“Sot jemi duke vënë theksin në një bashkëpunim më shumë se 1-vjeçar me Ministrinë e Financave për të arritur në një mekanizëm modernizues të administratës, të cilin ju do ta keni në duart tuaja dhe do të filloni ta përdorni menjëherë”, është shprehur ministrja Harito gjatë fjalës së saj përshëndetëse në takim.

Duke folur për reformimin që është bërë në Administratën Publike gjatë këtyre 4 viteve, ministrja theksoi: “Prej shtatorit të vitit 2013, ku reforma e rekrutimin në shërbimin civil u bë e prekshme, ka një sistem absolutisht transparent, absolutisht të kontrolluar, i cili është vlerësuar qartësisht nga Progres Raporti i BE, por ajo çka për ne është edhe më e rëndësishme, është vlerësuar nga ata 50 mijë kandidatë që kanë hyrë në këtë proces dhe kanë parë me sytë e tyre që procesi është tërësisht transparent”.

Zv.ministri i financave, Ervin Mete në fjalën e tij ka nënvizuar synimin për ti lënë sa më pak hapësirë gabimit njerëzor duke ngritur dhe forcuar sistemet. “Po e sjellim realisht menaxhimin financiar dhe menaxhimin e financave publike, në një standard modern, evropian tashmë të riformatuar që na lejon të mirë menaxhojmë këto financa. Synimi është që ti lihet sa më pak hapësirë ndërhyrjes njerëzore dhe njëkohësisht gabimit njerëzor, duke kaluar në një mjedis me sa më pak letër dhe me sa më pak kontakt veçanërisht me ato administrata ku kontakti njerëzor mund të kthehet në problematikë”, u shpreh Mete.

Deri tani listëpagesat e punonjësve të administratës publike hartoheshin sipas modeleve që vetë institucionet kishin përgatitur. Tanimë modeli është i përcaktuar dhe standardizuar për të gjithë dhe ndërkohë për herë të parë të gjitha listëpagesat do të jenë të vendosura në një sistem i cili do të mund të kontrollohet nga DAP dhe Ministria e Financave, duke rritur kështu edhe transparencën në kalkulimin e pagave.