Postuar më: 25 Maj 2017

“Open Data Barometer”: Shqipëria, shembull në rajon për qeverisje të hapur

Indeksi global për të dhënat e hapur “Open Data Barometer”, i cili rendit vendet sipas shkallës së tyre të angazhimit në frymën e parimeve të qeverisjes së hapur, transparente dhe gjithepërfshirëse e ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet me ecurinë më të mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Indeksi publikohet për të katërin vit radhazi nga Fondacioni Ëorld Ëide Ëeb, duke konfirmuar ecurinë positive të Shqipërisë në angazhimin e marrë në kuader te Nismës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), së cilës i është bashkuar prej 6 vjetësh.

Për herë të parë Shqipëria është objekt i këtij vrojtimi. Indeksi përfshin 115 vende të botës të cilat i vlerëson në bazë të gadishmërisë për të ndërmarrë angazhime në funksion të rritjes transparencës, shkallën e zbatimit të këtyre angazhimeve dhe impaktin që të dhënat e hapura kanë për qytetarët, biznesin dhe shoqërinë civile.

Shqipëria renditet e 50-ta duke lënë pas vende të rajonit si: Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë Hercegovinën.

Aktualisht Shqipëria po zbaton planin e tretë kombëtar të veprimit, i cili u prezantua për publikun vitin e kaluar me premtimin e Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, njëkohësisht edhe Koordinatore Kombëtare e OGP, Milena Harito se në dy vitet e ardhshme Shqipëria do të kthehej në shembullin për të cilin ka nevojë rajoni në rrugën e vështirë drejt qeverisjes së hapur.

Indeksi ka vlerësuar faktin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që në zbatim të ligjit “Për të drejtën e informimit” parashikon afatin prej 10 ditësh si kohën në të cilën institucionet shtetërore janë të detyruar t’u përgjigjen kërkeave për informacion të ardhura në drejtim të tyre.

Nga ana tjetër, Regjistri i Konsultimit Publik, i cili shërben si dritare e vetme informuese midis organeve publike dhe çdo personi të interesuar për konsultimin e projektligjeve dhe dokumenteve strategjikë, është tashmë i aksesueshëm online për të gjithë qytetarët, ekpertët dhe grupet e interesit.

Duket se zbatimi në praktikë i këtyre dy ligjeve “Për të drejtën e informimit” dhe “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, të miratuar në vitin 2014 i ka dhënë Shqipërisë vlerësimin pozitiv të “Open Data Barometer”.