Postuar më: 04 Nëntor 2016

Harta Unike Dixhitale, bazë e sigurt për procesin e legalizimeve

Harta Unike Dixhitale është baza e sigurt e të dhënave që përdoret aktualisht nga zyrat e ALUIZNI-t, në procesin e legalizimit dhe urbanizimit të ndërtimeve informale.

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, e shoqëruar nga Drejtori i Agjencisë së Informacionit Gjeogapësinor ka zhvilluar një takim pune në zyrat e ALUIZNI Lezhë, ku është njohur nga afër me përdorimin e të dhënave të Gjeoportalit Kombëtar në procesin e legalizimeve. Drejtuesit e ALUIZNI-t Lezhë i treguan ministres Harito se si me ndihmën e Hartës Unike dixhitale, nga 1300 legalizime që ishin kryer në 7 vjet para 2013, vetëm në 3 vitet e fundit janë kryer mbi 4000 legalizime.

Duke folur për ngritjen e infrastrukturës moderne të shtetit, ministrja Harito ka thënë: “Shteti ka nevojë për një infrastrukturë moderne teknologjike ku hartat e ALUIZNI, të ZRPP, fotografimi ajror etj, jenë të gjitha të ndërlidhura, në mënyrë që punonjësit e këtyre institucioneve të punojnë shpejt dhe me saktësinë e duhur. Për këtë arsye qeveria investoi 3 milion euro për të bërë fotografimin ajror me një cilësi shumë të lartë, ku për herë të parë përcaktohen edhe lartësitë e objekteve”.