Postuar më: 10 Korrik 2017

Harito: Reformimi i Administratës publike, prioritet kyç në mandatin e dytë qeverisës

Domosdoshmëria për të thelluar reformimin e administratës publike ka qenë në qendër të dialogut të nivelit të lartë mbi progresin e reformës në Shërbimin Civil dhe mbeshtetjen e BE, që u zhvillua sot paradite në mjediset e Qendrës për Informim të BE në Tiranë.

Në këtë konferencë të organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i Binjakëzimit të BE kanë marrë pjesë ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, Ambasadorja e Francës, Christina Vasak, Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo si dhe drejtues të nivelit të lartë të ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Duke marrë fjalën në konferencë ministrja Harito ka theksuar se “Reforma e administratës publike është shqetësimi i dytë më i rëndësishëm i ngritur nga qytetarët pas implementimit të reformës në Drejtësi. Pra qartësisht do të jetë një nga prioritetet e mandatit të dytë qeverisës dhe do të vazhdojë të thellohet edhe më tej”.

Ministrja ka vlerësuar ecurinë e mirë të projektit të binjakëzimit me shkollat e administratës publike të Francës dhe Italisë si dhe ka falenderuar BE për këtë mbështetje të rëndësishme. “Ka qenë një punë e gjatë, më shumë se dy vjeçare, për implementimin e projektit të binjakëzimit të DAP me shkollat prestigjoze të Administratave publike në Francë dhe Itali, falë të cilit Shkolla jonë e Administratës ka arritur një stad të ri cilësor, ka trajnuar në këtë periudhë me mijëra punonjës publikë, me mijëra nëpunës civilë, por sigurisht ky është vetëm një hap i pare”, ka theksuar Harito

Më tej ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike ka bërë një përmbledhje të asaj se çfarë është bërë në 4 vitet e fundit për reformimin e administratës publike: “Është bërë një ndryshim i madh në mënyrën e rekrutimit në shërbimin civil. Këtë tashmë e dinë të gjithë, por shërbimi civil është rreth 10-15% e gjithë administratës publike. Pra kemi reformuar një pjesë të administratës publike por kjo është ende një pjesë e vogël. Po ashtu, për shërbimin civil kemi futur për herë të parë sistemin e karrierës. Është shumë e rëndësishme për motivimin e nëpunësve publik. Dhe sigurisht kjo reformë mbështetet nga një infrastrukturë shumë e madhe dixhitale, për të cilën gjithashtu buxheti i shtetit ka investuar në këtë mandat të parë rreth 100 milion euro për ta përmirësuar”.

Duke u ndalur në hapat e parë konkretë që do të bëhen për thellimin e reformës në administratë ministrja Harito ka veçuar plotësimin e regjistrit të punonjësve publikë. “Ne kemi ngritur tashmë instrumentet falë edhe mbështetjes së BE. Një instrument shumë i rëndësishëm është regjistri i administratës publike. Të dimë personat që punojnë në Administratë, të dimë me çfarë diplomash kanë hyrë në administratë, çfarë trajnimesh kanë marrë ndërkohë nga partnerët ose nga vetë Shkolla e Administratës, çfarë karriere kanë bërë dhe për çfarë janë të përshtatshëm. Ky është regjistri i punonjësve public, pa të cilin do të jetë pamundur të reformohet në mënyrë të saktë dhe aktuale administrata publike”.

Në fund të fjalës së saj ministrja Harito ka shprehur bindjen se BE do vazhdojë ta mbështesë Qeverinë Shqiptare në këtë reformë, e cila është ndërkohë edhe një nga prioritetet e vendit në procesin e negociatave për integrimin europian.