Postuar më: 14 Tetor 2016

Faza e dytë e reformës, nis testimi i nëpunësve të Administratës Publike

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka ndjekur sot nga afër procesin e testimit të Administratës Publike, i cili ka nisur prej një jave.

E shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu dhe Drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, Fatmir Demneri, ministrja Harito është njohur nga afër me ecurinë e testimit, mënyrën e formulimit të pyetjeve dhe pritshmëritë nga ky proces i rëndësishëm.

Nga drejtuesit e DAP është bërë e ditur se po testohet grupi i nëpunësve ekzistues, në njësitë e burimeve njerëzore, në total 115 nëpunës.

Ky është testimi i dytë i organizuar në kuadër të vlerësimit të nëpunësve civil për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë.

Testimi i parë, u zhvillua më datë 7 Tetor, ku u testuan nëpunësit ekzistues në njësitë e integrimit evropian. Testimi i ditës së sotme i përkiste nepunësve të sektorit të burimeve njerëzore në rreth 50 institucione të administratës shtetërore.

Qëllimi testimit, i cili zhvillohet me shkrim dhe me gojë, është të parashikojë sa janë të aftë dhe se sa e kanë përvetësuar nëpunësit e administratës, Ligjin e Shërbimit Civil, Kodin e Punës si dhe ndryshimet e ndodhura në legjislacionin e fushës së menaxhimit të burimeve njerëzore gjatë periudhës 2013 – 2016.

Nëse një punonjës ka një rezultat jo të kënaqshëm, (0-50 pikë në total) ateherë do të duhet t’i nënshtrohet një trajnimi të posaçëm për të përftuar njohuritë e nevojshme. Pas trajnimit shtesë, çdo nëpunës ka mundësinë të testohet 3 herë rresht dhe nëse nuk arrin rezultatin e duhur, atëherë do të duhet të lërë vendin e punës.

Pasi u njoh nga afër me ecurinë e procesit ministrja Harito u shpreh:

“Sot fillojmë fazën e dytë të reformës së administratës publike. Tashmë të gjithë besoj se janë njohur gjerësisht me fazën e parë të Reformës që ishte Reforma e rekrutimeve në Shërbimin Civil. Ka qënë pjesa e parë e mandatit tonë qeverisës dhe dëshmitarët më të mirë për ndryshimin e thellë që ka ndodhur në rekrutimet në Shërbimin Civil janë 35 mijë kandidatët që janë futur në këtë proces gjatë kësaj periudhe, që nga shtatori i vitit 2014. Një tjetër dëshmi për ndryshimin real që ka ndodhur është edhe vlerësimi i partnerëve ndërkombëtarë dhe veçanerisht i Progres Raportit, i cili thotë qartësisht që në çështjet e reformës së administratës publike që është një nga pesë prioritetet e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është në nivelin për të çelur negociatat.

Ndërkohë sot fillojmë fazën e dytë të Reformës. Me të drejtë shpesh herë është ngritur shqetësimi, po përmirësojmë rekrutimin, pra ata që hyjnë në administratë. Por çfarë ndodh me ata që janë në administratë? Dhe pikërisht kjo është faza e dytë e Reformës.

Kemi bërë trajnime masive nëpërmjet Shkollës Ahqiptare të Administratës Publike, por kjo fazë e dytë e përmirësimit të burimeve njerëzore që janë aktualisht në administratë fillon konkretisht tani sipas bazës ligjore që kemi. Pra fillon testimi i punonjësve të cilët janë pjesë e administratës. Pse bëhet kjo? Kjo bëhet sigurisht për të përmirësuar cilësinë e burimeve njerëzore por edhe sepse procesi i çeljes së negociatave i cili shpresojmë të fillojë shumë shpejt, është një proces i gjatë, shumë i vështirë që kërkon një cilësi burimesh njerëzore në të gjithë administratën ku ne të gjithë kemi për detyrë të përmirësohemi.

Pra qëllimi është përmirësimi i shërbimit për qytetarët, përmirësimi i burimeve njerëzore për të përballuar procesin e vështirë të negociatave.

Testimi do të shoqërohet në rastet kur është e nevojshme me trajnime të thelluara për fusha specifike, sigurisht në rast se pas disa trajnimesh e disa testimesh, punonjësit nuk e kapin nivelin e duhur do të ketë dhe sanksione sepse ky është një proces ku gjithësekush duhet të investohet edhe personalisht për të mbajtur nivelin e duhur për administratën publike”

Nga ana e saj drejtoresha e Departamentit te Administratës Publike, Albana Koçiu theksoi:

“Sot janë duke u vlerësuar punonjësit e njësive të burimeve njerëzore në afro 50 institucione të administratës shtetërore. Janë rreth 115 punonjës, të cilët sot po i nënshtrohen një vlerësimi, një testi me shkrim dhe në ditët në vijim dhe një interviste me gojë. Kjo bëhet për të përcaktuar sa janë të aftë dhe se sa e kanë përvetësuar Ligjin e Shërbimit Civil dhe Kodin e Punës që janë dy legjislacione bazë që rregullojnë marrdhëniet e punës në administratën shtetërore. Në vijim ne do të jemi në gjendje si Departament i Administratës Publike së bashku me Shkollën e Administratës Publike, të themi se kush janë punonjësit të cilët kanë nevojë për trajnim të thelluar dhe që do të duhet që të vijohet me një set trajnimesh specifike të dedikuar për vendin e punës”.