Postuar më: 30 Nëntor 2016

Administrata Publike përballë sfidës së negociatave me BE

Reformimi dhe modernizimi i Administratës Publike ka hyrë tashmë në një fazë të re, që është përgatitja për procesin e gjatë dhe kompleks të negociatave me Bashkimit Europian. Qeveria shqiptare, falë reformave dhe rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, ka krijuar mundësinë të akordojë 100 milionë dollarë për rritjen e pagave për punonjësit e administratës. Kjo rritje pagash për vitin 2017 është jo vetëm rrjedhojë e përpjekjeve dhe përmirësimit të punës së administratës në këto tre vite, por edhe një nxitje e motivimit të punonjësve për sfidat e mëtejshme, ndër të cilat është edhe procesi i negociatave me BE.

Për këto çështje është diskutuar gjatë një takimi të zgjeruar të Kryeministrit Edi Rama me nëpunës të Administratës Publike, organizuar nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike. Duke marrë fjalën në takim ministrja Harito ka theksuar: “Përpjekja jonë për modernizimin e administratës ka përfshirë në vijimësi tre aspekte: 1- Modernizimi i burimeve njerëzore, që nis nga rekrutimi vijon me karrierën bazuar në trajnimet e testimet; 2- Ngritja e infrastrukturës dixhitale moderne, sistemeve dixhitale të automatizuara dhe transparente në shërbim të punonjësve të administratës ; 3- Modernizimi i shërbimeve administrative direkte për qytetarët dhe monitorimi i tyre”.

Kryeministri Rama në fjalën e tij u ka përcjellë të pranishmëve në takim lajmin e mirë të rritjes së pagave: “Rritja e pagave nuk është thjesht një rritje pagash e zakonshme, në një rrugë të zakonshme progresi të vazhdueshëm, por është edhe një shpërblim i merituar për të gjithë mbështetjen, që në radhë të parë njerëzit që punojnë i kanë dhënë reformave. Për këtë arsye, ne kemi vendosur që të spostojmë nga buxheti i shtetit, në buxhetin e familjeve 100 milionë dollarë për të rritur rroga e pensione”.