Postuar më: 26 Shkurt 2014

Harito:" Vetëm 260 persona në listë pritjeje"

Qeveria ka zbatuar të gjitha procedurat ligjore për lëvizjet në administratën publike. Ministrja për Inovacionin dhe Administratë Publike, Milena Harito, në një intervistë për "Shekullin" iu përgjigjet akuzave të përsëritura nga opozita. Ajo sqaron me shifra të gjitha lëvizjet e bëra në administratë. Harito pohon se janë 260 nëpunës që kanë dalë në listën e pritjes 62 prej të cilëve kanë dhënë dorëheqjen për arsye personale, ndërsa 26 janë rikthyer në detyrë në struktura të tjera.

Ndërsa thekson se është opozita e sotme, mazhoranca e djeshme e cila me largimet masive nga administrata shkaktoi dëme katastrofike që arrijnë në rreth 40 milionë euro. Shifra këto që sipas saj, faktojnë më së miri shkelësit real të ligjit për administratën. Edhe më masive, shton ajo, ishin largimet nga bashkia e Tiranës ku në më pak se dy vjet u larguan 1200 punonjës. 

A ka sot një shifër se sa është numri total i të larguarve nga puna apo personave të dalë në listën e pritjes? 

Numri i nëpunësve civilë të larguar nga puna prej 15 shtatorit të vitit 2013 është fare i ulët dhe nuk ka asnjë lidhje me shifrat e gënjeshtërta të trumbetuara nga opozita. Nga shërbimi civil kanë dalë në listë pritje 260 persona, për arsye ristrukturimi të departamenteve dhe pozicioneve të punës përkatëse. Por ashtu siç e parashikon ligji, 26 prej këtyre punonjësve të nxjerrë në listat e pritjes për arsyet e shpjeguara me sipër, janë ripunësuar në departamente apo institucione të tjera që kërkonin profilet dhe eksperiencën e tyre; ndërkohë janë dhënë 7 masa disiplinore, 5 persona kanë dalë në pension dhe 62 nëpunës civilë kanë dhënë dorëheqjen për arsye personale.Këto shifra të përmendura    më sipër janë dhe treguesit e vërtetë të asaj çfarë ka ndodhur me administratën civile. Pra siç e shihni jemi shumë larg shifrave që trumbeton opozita, të cilat mbështeten në faqe interneti fiktive ku gjen ankime të rreme e të paverifikuara.

Ndërsa opozita akuzon për largime, mazhoranca është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë duke kujtuar të pushuarit në 8 vitet e qevisjes demokrate. Cilat institucione kanë qenë më të prekura nga këto ndryshime?

 Lejomëni t’ju sjell në vëmendje një shifër që flet qartë: në 2005-2006, gjatë 9 muajve të parë të qeverisë Berisha, u larguan për arsye nga më qesharakët 2500 punonjës nga Policia e Shtetit. Që prej shtatorit 2013, deri në këto momente që bisedojmë, janë larguar nga Policia e Shtetit 247 punonjës. Ndër ta, një pjesë e madhe është larguar për shkelje të ligjit dhe dosjet e tyre janë dërguar në prokurori.

Ka një bilanc të plotë të lëvizjeve në 8 vite?

Bilanci i 8 viteve në detyrë të opozitës së sotme, përveçse rezultoi katastrofik në shumë aspekte (ekonomi në kolaps, korrupsion masiv, shkatërrim   i sistemit arsimor dhe atij të shëndetësisë, kriminalitet i lartë), fatkeqësisht nuk kurseu as shërbimin civil. Disa nga masat e marra nga qeveria “Berisha” që në korrikun e vitit 2005, arritën të shkatërronin administratën publike brenda një periudhe rekord, duke çmontuar institucionet nëpërmjet spastrimeve në masë të nëpunësve profesionistë dhe të trajnuar, shkatërrimit të kapaciteteve të krijuara me mund dhe demit financiar marramendës për arkën e shtetit (rreth 40 milionë euro vetëm për largimet nga puna), apo emërimeve të paligjshme të militantëve me nivel të ulët profesional.

Krahas spastrimeve masive në institucionet qendrore të shërbimit civil, spastrimet dhe emërimet politike prekën të gjithë sektorët e administratës shtetërore, por disa prej tyre ishin më të preferuarat në goditjen nga qeveria e Partisë Demokratike. Administrata tatimore, ajo doganore, Policia e Shtetit u goditën më ashpër dhe me shpejt se institucionet e tjera. Lëvizjet e personelit në këto administrata, nga largimet apo uljet në detyrë kanë prekur sot rreth 70% të personelit të tre institucioneve në 12 muajt e parë të qeverisjes “Berisha”, sipas raportit të Komisionit Parlamentar mbi këtë çështje. E të mos harrojmë rreth 1200 të larguar nga Bashkia e Tiranës prej zotit Basha, në më pak se dy vjet, pikërisht ai që merr sot flamurin e mbrojtjes së administratës. Hipokrizi e plotë. 

Po sa i përket largimeve të bëra pas largimit të LSI-së nga koalicioni i djathtë, ka një shifër? 

Reagimi ishte po aq i ashpër në 3 muajt fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike pas shkëputjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Punonjësit e identifikuar si "të LSI-së" dhe jo të administratës, u nxorën në rrugë brenda 24 orëve, në kundërshti të plotë me ligjin e Nëpunësit Civil.   

Lëvizjet në administratë  

260 persona është numri i personave të dalë në listën e pritjes për arsye ristrukturimi të departamenteve dhe pozicioneve të punës përkatëse. 

26 prej këtyre punonjësve të nxjerrë në listat e pritjes janë ripunësuar   në departamente apo institucione të tjera që kërkonin profilet dhe eksperiencën e tyre 7 janë masat disiplinore, 5 persona kanë dalë në pension 62 nëpunës civilë kanë dhënë dorëheqjen për arsye personale  

Ndryshimet në ligj, ministrja: Opozita refuzoi bashkëpunimin

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito reagon pas akuzave të opozitës për mungesë transparencë lidhur me ndryshimet në ligjin për “Nëpunësin Civil”. Sipas saj opozita refuzoi të bëhej pjesë e diskutimeve edhe pse ftesa iu bë me shkrim dhe publikisht, disa herë.

Ky qëndrim, shton ajo, është për arsyen e vetme sepse në mungesë të një kauzë serioze, kjo çështje është një nga temat e sulmeve populiste të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ndërkohë që janë ata përgjegjësit për gjendjen dramatike në të cilën gjetëm shërbimin civil, në shtator të vitit të shkuar. Sa u përket pretendimeve për vonesa në publikimet e vendimeve në Fletoren Zyrtare ajo pohon se është një procedurë tërësisht brenda kufijve ligjorë.

Miratimi nga qeveria i ndryshimeve në ligjin për “Nëpunësin Civil” ka sjellë reagimin e opozitës sipas të cilës këto ndryshime janë bërë në mungesë të plotë të transparencës. Madje Basha kërkoi tërheqjen e projektligjit. Keni një përgjigje për këto qëndrime?

Këto deklarata janë gënjeshtrat e radhës të opozitës, të pabazuara në asnjë fakt. Në të vërtetë mazhoranca ka kërkuar, së pari me shkrim, bashkëpunimin e opozitës. Më pas i kemi propozuar zyrtarisht dhe publikisht të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë mbi ndryshimet që nevojiteshin për t'u kryer për ligjin në fjalë. Madje një pjesë e opozitës, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, pranoi të bisedonim dhe dëgjoi   argumentet tona, pa u fshehur pas retorikës populiste.

Por PD-ja e ka refuzuar dialogun. Nuk dëshirojnë as të ulen e të bisedojnë, qoftë edhe pa rënë dakord, sepse në mungesë të një kauzë serioze, kjo çështje është një nga temat e sulmeve populiste të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ndërkohë që janë ata përgjegjësit për gjendjen dramatike në të cilën gjetëm shërbimin civil, në shtator të vitit të shkuar.

 Kur pritet të votohen në Kuvend ndryshimet e miratuara nga qeveria në ligjin për “Nëpunësin Civil”? 

Qeveria në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka përgatitur prej muajsh disa amendime në ligjin për “Nëpunësin Civil”, duke filluar nga ai që është edhe i domosdoshëm për organizimin e qeverisë tonë: varësia e Departamentit të Administratës Publike, nga ministri përgjegjës për administratën dhe jo më nga ministri i Brendshëm. Sigurisht Kuvendi i Shqipërisë është institucion i pavarur dhe vepron sipas procedurave që parashikon rregullorja e tij. Për rrjedhojë ndryshimet do të paraqiten pasi të jenë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ ende nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare. Është normale kjo vonesë?

Kjo është një tjetër zhurmë e pajustifikuar e opozitës së dëshpëruar. Publikimi i vendimit kryhet nga institucioni përkatës, sipas afateve ligjore dhe në dijeninë time nuk ka asnjë vonesë apo shkelje të procedurave.

 

//Intervistë në Shekulli.