Postuar më: 27 Nëntor 2013

Harito, reforma sa ka filluar-administrata e politizuar prej 70 vitesh

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, gjatë një interviste dhënë për ATSH-në, foli për procesin reformues të Adiministratës Publike, një proces ky që sipas saj sapo ka filluar dhe që do të jetë gradual edhe pas hyrjes në fuqi të akteve nënligjore të ligjit “për nëpunësin civil”. Ndër të tjera Harito thekson se ndryshimi do të jetë thelbësor, pasi adiministrata jonë publike ka funskionuar si e politizuar prej plot 70 vitesh.     

 Pas kthimit në Parlament nga Presidenti, kur pritet të hyjë në fuqi ligji “Për statusin e Nëpunësit Civil”?

 Që të jemi të saktë : Ligji për nëpunësin civil ka hyrë në fuqi që prej datës 1 Tetor 2013. Aktet nënligjore të nevojshme për ta bërë ligjin të zbatueshëm janë duke u përpiluar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin evropian, madje disa prej tyre janë publikuar tashmë në website e DAP për t’u konsultuar me palët e interesuara. Duke filluar nga data 1 Prill 2014, aktet nënligjore do të jenë gati dhe ligji do të prodhojë të gjitha efektet  që ai parashikon. Më lejoni të theksoj, se në kundërshti nga informacioni i pavërtetë që  përhapet e trumbetohet nga opozita, gjithë puna e përpjekja jonë është që ta bëjmë të aplikueshëm ligjin mbi nëpunësin civil të votuar me konsensus në maj 2013. Punë kjo që duhet të ishte bërë nga qeveria e mëparshme që prej majit  deri në shtator 2013.

 Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, cilat do të jenë efektet e tij të para?

 Efekti i parë i rëndësishëm  i ligjit të ri do të jetë rritja e numrit të nëpunësve civilë i cili do të kalojë nga rreth 6 mijë në afërsisht 20 mijë. Ky është një ndryshim i rëndësishëm për administratën publike pasi Statusi i nëpunësit civil do të zgjerohet, siç nuk ka qënë më parë, tek agjencitë e varësisë dhe në pushtetin vendor. Punësimi në administratë dhe avancimi në karrierë do të ndryshojnë gjithashtu. Konkurset e punësimit do të jenë masive dhe transparente,  jo më nën drejtimin e secilit institucion, por do të ndiqen dhe do të  menaxhohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga Departamenti i Administratës Publike (DAP). Ne do të sigurojmë transparencë maksimale gjatë të gjithë këtij procesi, në mënyrë që në shërbimin publik të hyjnë vetëm ata që e meritojnë në bazë të aftësive të tyre profesionale. Për herë të parë do të prezantohemi edhe me konceptin e menaxhimit të karrierës në shërbimin civil, si dhe me idetë e hierarkisë dhe mobilitetit, koncepte këto që aplikohen në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ngjitja në karrierë do të jetë graduale dhe duke ndjekur detyrimisht shkallët një e nga një. Nëpërmjet shkollës së adminstratës publike, do të  trajnohen të gjitha nivelet e nëpunësve  civilë (specialistë, drejtues të nivelit të mesëm, drejtues të nivelit të lartë, etj).

 Procesi reformues i administratës, do të jetë një proces i gjatë në kohë?

 Dua të theksoj se jemi vetëm në fillim të procesit  të reformimit të administratës publike. Duhet kuptuar që jemi duke vënë në jetë  një ndryshim thelbësor, e shumë të rëndësishëm,  që kërkon të strukturojë sipas standardeve Evropiane, një administratë e cila për 70 vjetë ka qenë e politizuar. Ky është një proces që kërkon kohë dhe duhet ndjekur me kujdes çdo ditë. Ky proces nuk do të përfundojë me hyrjen në fuqi të akteve nënligjore. Përkundrazi, do të vazhdojë gjatë, deri sa të arrihet profesionalizmi dhe depolitizimi i administratës shtetërore. Të gjithë duhet të punojmë së pari që të ndryshojmë dogmat e mendimit  dhe mentalitetin e krijuar në vend mbi punësimin në administratën shtetërore. Po kërkojmë fuqishëm të bëhemi pjesë e BE-së, dhe për këtë duhet që fillimisht të punojmë me ndryshimin e mendësisë dhe praktikave tona. Duhet të njihemi me praktikat e vendeve anëtare të BE, t’i kuptojmë ato plotësisht dhe më tej, t’i aplikojmë në mënyrë të saktë. Ditën kur të kemi arritur të kuptojmë dhe të aplikojmë këtë mendësi, mund të themi që procesi është kryer me sukses. Më pas ruajtja e tij, pasurimi me idetë dhe konceptet e një shoqërie dinamike e gjithmonë në ndryshim, është një proces që nuk do të përfundojë asnjëherë.

 A ka disa struktura të administratës që do të preken rrënjësisht, dhe nëse po, cilat janë ato?

 Qeveria e re, duke u bazuar edhe në kushtetutën e vendit, ka adapatuar organikën e saj në funksion të realizimit të programit të prezantuar gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, program për të cilin shqiptarët e votuan.  Për të vënë në jetë këtë program, me të gjithë detajet e nevojshme për realizimin e tij, ishte e domosdoshme edhe që formati i ministrive të ndryshonte nga ai i qeverisë së mëparshme . Për të arritur që të zbatojmë me përpikmëri programin që u kemi prezantuar shqiptarëve, duhet të bëhen ndryshime thelbësore, të cilat do të prekin formatin, mënyrën e organizimit të punës. Gjithashtu për të patur një administratë efikase, financiarisht të qëndrueshme dhe jo të fryrë më kot, ne kemi vlerësuar se do të duhet që çdo ministri të reduktojë efektivat e saj në 10 deri 20%.

 Reforma e pritshme do të bazohet më shumë në kërkesat e KE-së, si një ndër 5 pikat kyce për marrjen e statusit apo në nevojën e brendshme për një gjë të tillë?

 Kërkesa e progres raportit mbi  reformën e administratës publike, është në vetvete një kërkesë për formimin e një administrate të depolitizuar, profesionale dhe efikase, që administron të mirën publike në shërbim të qytetarit,  dhe jo të interesave personale. Pra është shumë e rëndësishme të theksojmë se ajo çka na kërkon progres raporti dhe partnerët europianë mbi reformën që duhet të ndërmarrë administrata publike është në koherencë të plotë me prioritet e  qeverisë tonë, në mënyrë që tu shërbehet denjësisht interesave të qytetarëve.

 

//Intervistë në ATSH