Postuar më: 26 Nëntor 2013

Harito: Nëse opozita ka listë me emra, ta sjellë në zyrën time

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito iu përgjigj akuzave të opozitës, e cila pretendon se qeveria e re ka larguar nga puna rreth 2500 punonjës të administratës publike. E ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ministrja Harito tha se nëse opozita disponon listën me emrat e punonjësve të pushuar, ta dërgojë atë në zyrën e saj. Lidhur me vendimin e pritshëm të Kushtetueses për aktin normativ për nëpunësin civil, ministrja tha se nuk sheh asnjë arsye që gjykata të hedhë poshtë këtë akt. 

Ndalemi tek faza e përgatitjes së akteve ligjore, përsa i përket ligjit të nëpunësit civil. 
Ligji i ri është një ligj kuadër, i cili linte shumë hapësirë për aktet nënligjore. Kemi kohë deri në 31 dhjetor për ta bërë këtë gjë. Ka filluar intensivisht puna për përgatitjen e këtyre akteve nënligjore. Janë katër drafte të rëndësishme, plani vjetor i pranimit në administratën publike, procedurat e rekrutimit, trupa e lartë drejtuese dhe përshkrimi dhe vlerësimi i pozicioneve të punës. 

Cili do të jetë efekti i ligjit të ri? 
Ka disa efekte të rëndësishme. Është një ligj që ndryshon në një mënyrë të rëndësishme kuadrin ligjor paraardhës. Njerëzit që janë në administratën publike që përfitojnë statusin e nëpunësit civil shkojnë në 20 mijë. Ka gjëra të tjera që lidhen me mënyrën si do bëhen rekrutimet. Rekrutohen sipas tipit të pozicionit të punës. Ka dhe ndryshime të tjera në lidhje me karrierën, mobilitetin. Në lidhje me karrierën, nuk do të jetë e mundur të hysh drejtpërdrejt në një pozicion të lartë në administratë. Gjë që stabilizon administratën, jep perspektivë brenda administratës. Është një ligj që na përafron me ligje të vendeve të BE-së. 

Numri i saktë i dorëheqjeve dhe largimeve në administratë? 
Rreth 40 njerëz kanë vendosur me dëshirën e tyre të largohen. Ka një ose dy procedura disiplinore dhe lëvizje të zakonshme njerëz që dalin në pension. 

Opozita ka folur për 2500 punonjës... 
Ai që akuzon ka barrën e provës. Kush akuzon është mirë të sjellë listën. Nëse opozita e ka listën me emra le të vijë në zyrën time dhe të ma sjelli. 
Nesër do të shprehet Gjykata Kushtetuese mbi aktin normativ, cili është mendimi juaj? 
Nuk ka asnjë arsye që gjykata të hedhë poshtë aktin normativ. Nëse kjo do të ndodhë do të ishim në një kaos administrativ. Ky ligj nuk aplikohet për arsye konkrete dhe ligji i vjetër nuk do të ishte më në fuqi. Në këtë rast do të ishim përpara një vakumi juridik. Dhe do të aplikohej vetëm kodi i punës dhe nëpunësit do të ishin më pak të mbrojtur. 

24 persona pyesin dhe thonë që janë pushuar nga puna pa të drejtë nga Ministria e Arsimit, ju jeni në dijeni? 
Nuk kam asnjë informacion konkret. E kam të vështirë ta besoj që janë pushuar pa asnjë lloj motivacioni. Duhet parë rasti. Kam biseduar me kolegen Lindita Nikolli dhe atje po zbatohet ligji në mënyrë strikte. 

 

//Intervistë në News 24