Postuar më: 25 Shkurt 2014

Harito:" ‘Nëpunësi Civil’, synojmë zbatimin e ligjit. Nga administrata janë larguar vetëm 260 persona"

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito thekson se nga administrate publike janë larguar vetëm 260 persona, nga të cilët 62 kanë paraqitur dorëheqjen për arsye personale.

Në një intervistë për gazetën ‘Tema’, ministrja Harito komenton ndryshimet në ligjin për Nëpunësin Civil, të cilat i argumenton si të domosdoshme për ta vënë në zbatim.

“Administata Publike është kthyer në një kauzë për një opozitë të dëshpëruar, që në pikëpamjen time ende nuk e ka gëlltitur faktin që është në opozitë.  Çështja ështe në të vërtetë fare e thjeshtë. Ligji për nëpunësin civil 152/2013 u votua me konsensus in extremis me 30 maj 2013, pak javë përpara zgjedhjeve, ndërkohë që ishte politizuar me tepri nga qeveria e kaluar, por nuk u diskutua konkretisht asnjëherë në komisionet parlamentare. Ishte një ligj kuadër që kishte nevojë për rreth 30 akte nënligjore për tu berë i zbatueshëm”, thekson Harito.

Lidhur me pretendimet e opozitës për largimin e disa mijëra nëpunësve nga administrate, ministrja e Inovacionit thekson se ky është një pretendim që nuk qëndron, ndërsa shton se administata publike është kthyer në një kauzë për një opozitë të dëshpëruar.

“Të mos harrojmë ndërkohë, që sipas Komisionit Parlamentar për Çështjet e Administratës, në vitin 2006  janë larguar nga administrata publike gati 10 000 vetë, ndërsa Lulzim Basha ka larguar nga puna gati 50 % të punonjësve të Bashkisë së Tiranës për më pak se dy vjet.  Një tjetër shifër  që flet qartë: në 2005-2006, gjatë 9 muajve të parë të qeverisë Berisha, u larguan për arsye nga më qesharaket 2500 punonjës nga Policia e Shtetit. Ndërsa që prej shtatorit 2013, deri në këto momente që bisedojmë, janë larguar nga policia e shtetit 247 punonjës. Ndër ta, një pjesë e madhe është larguar për shkelje të ligjit dhe dosjet e tyre janë dërguar në prokurori”,  thekson Harito.

Znj. Harito, pas 5 muajsh që koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane po drejton vendin, a mund të bëni një bilanc të qeverisjes? Në cilat drejtime mendoni se Qeveria ka ecur me ritmet e duhura dhe ku duhet të korrigjohet, nëse ka vend për një gjë të tillë?

Shumë e shumë gjëra kanë ndryshuar në këto 5 muaj : unë do ta filloja nga fryma e respektit ndaj qytetarëve dhe zërit të tyre, frymë e cila u pa qartë në çështjen e armëve kimike. Me duket një ndryshim rrënjësor, esencial duke e krahasuar për shembull me grevën e të përndjekurve politikë, të cilët qeveria arrogante e Sali Berishës jo vetëm nuk pranoi i dëgjonte e ti takonte, por u përpoq edhe i denigronte me një pandjeshmëri totale ndaj mjerimit të tyre.  Kemi tashmë një përqasje  të ndryshme në rajon, nuk kemi më nxitje të nacionalizmave, por bashkëpunim konstruktiv me të gjithë fqinjët, duke filluar nga një marrdhënie me projekte konkrete bashkëpunimi me Kosovën. Menjëherë u zhbllokua linja e  interkonjeksionit për furnizimin me energji elektrike, kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e arsimit për të përafruar kurrikulat, në fushën e kulturës etj. Mund të përmendim mobilizimin e policisë ne kuadrin e sigurisë rrugore.  Besoj se të gjithë tani kemi frikë nga gjobat dhe është shumë mirë kështu. Është për tu shënuar  lufta  frontale ndaj krimit të organizuar, duke filluar me lojrat e paligjshme të fatit, trafiqet në zonat minerare, ndërtimet e paligjshme e shumë të tjera. Sigurisht kur preket krimi i organizuar, prishen ekuilibrat interesa të mëdha ekonomike, gjë që mund të shpjegojë pjesërisht një pjesë të akteve kriminale të dhunshme të kohëve të fundit.  Në administratë veç një mobilizimi të gjithanshëm dhe kërkesë llogarie të shtuar në të gjitha nivelet, ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore rekrutimi, i cili organizohet me konkurse të hapura, ku marrin pjesë me dhjetra kandidatë, në bazë profesionalizmi e meritokracie. kjo është lehtësisht e verifikueshme si në ëebsite të Departamentit të Administratës Publike, ashtu edhe në godinën e Shkollës së Administrates ku zhvillohen një pjesë e konkurseve. Vetë gazeta Tema besoj është dëshmitare e një fryme lirie në media, sepse qeveria nuk përdor më kërcënime as direkte dhe as indirekte ndaj askujt. Ndaj kemi edhe rritje të ndjeshme, me 17 vende në raportin e fundit të Reporterëve pa kufij, në lidhje me lirinë e medias. Shumë të tjera mund të renditen këtu.

Disa nga pozicionet e rëndësishme të administratës së shtetit, si p.sh Doganat apo Tatimet, i janë besuar të rinjve. Po kështu, disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar janë me moshë fare të re. Në këndvështrimin Tuaj, kjo ka të bëjë me një besim që Kryeministri ka ndaj brezit të ri në marrjen e përgjegjësive, apo ishte një zgjedhje për ndryshimin e imazhit me njerëz të rinj?

Të gjithë ata që janë përzgjedhur në këto poste jashtëzakonisht të rëndësishme shtetërore, janë aty për profesionalizmin dhe seriozitetin në rrugën e karrierës së tyre, por edhe për përkushtimin ndaj barrës së rënde që secili ka marrë përsipër.  Unë mendoj  se imazhi nuk ndryshon  nga mosha e re. Imazhi do të ndryshojë vetëm nëse gjithësecili ja del mbanë detyrës që ka marrë përsipër.Kjo nuk do të thote që të tjerë njerëz do ta meritonin më pak. Thjesht, në këto raste duhet bërë një përzgjedhje, dhe pastaj njerëzit vihen në provë në punën e tyre,  ku çdo ditë na vendos përpara sfidash të cilat duhet të arrijë ti përballojë secili prej nesh.

Debati më i madh që sot ekziston mes pozitës dhe opozitës ka të bëjë me ligjin për Nënpunësin Civil. U miratua një ligj konsensual që hynte në fuqi më 1 Tetor. Pastaj pati një akt normativ të qeverisë, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit. Sot Qeveria ka miratuar një p/ligj me 16 nene që ka të bëjë me ndryshimet në ligjin e miratuar me konsensus. A mund të na shpjegoni se cpo ndodh realisht me këtë ligj dhe pse kaq shumë ndërhyrje, në një kohë që ligji nuk ka nisur funksionimin?

Administata Publike është kthyer në një kauzë për një opozitë të dëshpëruar, që në pikpamjen time ende nuk e ka gëlltitur faktin që është në opozitë.  Çështja ështe në të vërtetë fare e thjeshtë. Ligji për nëpunësin civil 152/2013 u votua me konsensus in extremis me 30 maj 2013, pak javë përpara zgjedhjeve, ndërkohë që ishte politizuar me tepri nga qeveria e kaluar, por nuk u diskutua konkretisht asnjëherë në komisionet parlamentare. Ishte një ligj kuadër që kishte nevojë për rreth 30 akte nënligjore për tu berë i zbatueshëm. P.sh procedura e konkursit është krejt e ndryshme, si në përzgjedhjen e komisionit, organizimin për gjithë institucionet së bashku dhe jo me institicion për institucion etj. Qeveria e kaluar në 3 muaj e gjysëm nuk pregatiti asnjë nga këto akte nënligjore. Ne ishim pra të detyruar, me këshillën edhe të partnerëve europianë të shtynim efektet e ligjit për ta bërë atë të zbatueshëm. Efektet e ligjit, jo hyrjen e tij në fuqi. Pra ligji hyri në fuqi siç ishte parashikuar në 1 tetor, pa prishur asnjë konsensus. Thjesht për tu bërë i zbatueshëm na duhej pak kohë. Tani aktet nënligjore janë gati për tu aprovuar në Këshillin e Ministrave, brenda pak ditësh. Amendiment e propozuara, janë gjithashtu të konsultuara me partnerët europianë, dhe janë të nevojshme pikërisht sepse ligji nuk u diskutua në komisionet parlamentare dhe ka disa mangësi. Psh përcakton që Departamenti i Administratës varet nga Ministri i Brendshëm. Ndërkohë që praktika e mirë legjislative, kërkon që në ligj të shkruhet “ministri përgjegjës për Administratën Publike duke i lënë qeverisë të vendosë cili do të jetë ministri përgjegjës. Por, këtë rradhë këto amendime, ndryshe nga përqasja e qeverisë së kaluar, aprovimi ose jo i këtyre amendimeve do të marrë kohën e duhur duke u diskutuar gjerësisht sipas procedurës së rregullt parlamentare, pa u politizuar nga ana jonë. Madje ne përpara se ti propozonim amendimet , ftuam në takim edhe opoziten, më pas ju kërkuam edhe sugjerime me shkrim. Ata nuk e panë te arsyeshme ti përgjigjen ftesës.

Opozita pretendon për disa mijëra të larguar nga administrata publike, a keni ndodnjë shifër konkrete sesa nënpunës të administratës janë larguar nga funksionet e tyre në këto muaj të Qeverisë ?

Numri i nëpunësve civilë të larguar nga puna prej 15 shtatorit të vitit 2013 është fare i ulët dhe nuk ka asnjë lidhje me shifrat e gënjeshtra të trumbetuara nga opozita. Nga shërbimi civil kanë dalë në listë pritje rreth 260 persona, për arsye ristrukturimi të departamenteve dhe pozicioneve të punës përkatëse. Por, ashtu siç e parashikon ligji,  26 prej këtyre punonjësve të nxjerrë në listat e pritjes për arsyet e shpieguara më sipër, janë ripunësuar në departamente apo institucione të tjera që kërkonin profilet dhe eksperiencën e tyre; ndërkohë janë dhënë 7 masa disiplinore, 5 persona kanë dalë në pension dhe 62 nëpunës civilë kanë dhënë dorëheqjen për arsye personale. Këto shifra të përmendura më sipër janë  treguesit e vërtetë të asaj çfarë ka ndodhur me nëpunësit civilë të administratës. Pra siç e shihni jemi shumë larg shifrave që trumbeton opozita, të cilat  mbështeten në faqe interneti fiktive ku gjen ankime të rreme e të paverifikuara. Të mos harrojmë ndërkohë, që sipas Komisionit Parlamentar për çeshtjet e administratës në vitin 2006  janë larguar nga administrata publike gati 10 000 vetë, ndërsa Lulëzim Basha ka larguar nga puna gati 50 % të punonjësve të Bashkisë së Tiranës për më pak se dy vjet.  Një tjetër shifër  që flet qartë: në 2005-2006, gjatë 9 muajve të parë të qeverisë Berisha, u larguan për arsye nga më qesharaket 2500 punonjës nga Policia e Shtetit. Ndërsa që prej shtatorit 2013, deri në këto momente që bisedojmë, janë larguar nga policia e shtetit 247 punonjës. Ndër ta, një pjesë e madhe është larguar për shkelje të ligjit dhe dosjet e tyre janë dërguar në prokurori.

Reforma Territoriale është një tjetër cështje e debatueshme, megjithëse palët bien dakort se duhet realizuar. Sot Shqipëria ka një mazhorancë që ka numrin e votave të nevojshme në Kuvend për miratimin e reformës, por nuk ka le ta quajmë konsensusin e opozitës, të paktën deri tani. Po kështu edhe më parë, palët synojnë të përdorin termin konsensus, kur dihet fare mirë që njëra apo tjetra palë mund të ketë variantin apo propozimet e saja për cështje të caktuara, në rastin konkret të reformës territoriale.  Mendoni se në rastin e kësaj reforme duhet përdorur forca e kartonave, apo e shihni një proces për të cilin palët duhet të debatojnë dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për vendin?

Mendoj që vetëm të mira mund të vijnë nga debati konstruktiv. Reforma Territoriale është një domosdoshmeri ekonomike e administrative  për Shqiperinë. PD i janë dhënë të gjitha garancitë për të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar të posaçëm. Është në interesin e saj të vijë e të bisedojë nëse do të mirën e vendit dhe nëse dëshiron të jetë pjesë e këtij transformimi të rëndësishëm. PD  në dhjetor dha shenja për një frymë disi më konstruktive, por me sa duket pa u çliruar nga fryma e shkatërrimit, urrejtjes dhe etjes së pafund  për pushtet të Sali Berishes, ka pak gjasa që opozita të jetë në pozicione konstruktive për të ardhmen e vendit.

 

//Intervistë në Gazetën Tema.