Postuar më: 17 Dhjetor 2013

Harito: Lënia e mandateve nga ministrat, çështje kohe

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, shprehet se lufta ndaj korrupsionit në administratë është një sfidë e përhershme që do të mund të fitohet nga mazhoranca e re. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Harito shprehet se teknologjia dhe modernizimi i shërbimeve të administratës, është një nga projektet që do të sjellë më pak korrupsion. Por krahas kësaj nuk mungojnë dhe masat ligjore. Ajo thotë se nuk do të ketë asnjë tolerim në zbatimin e ligjit, duke nisur që nga zyrtarët e lartë dhe deri të hallka më e vogël e hierarkisë së administratës shtetërore. Ministrja komenton dhe masën e marrë nga qeveria për bastet online.

Ajo shprehet se për të zgjidhur këtë problem do të krijohet një qendër e monitorimit të aktiviteteve të lojërave të fatit, e cila do të mundësojë mbajtjen nën kontroll online, në mënyrë të vazhdueshme të këtyre aktiviteteve të paligjshme. Lidhur me premtimine modelit të ri qeverisës, ku çdo ministër do të linte mandatin e deputetit, Harito thotë: “Kjo është vetëm çështje kohe”. E pyetur për mbajtjen e premtimeve për hapjen e 300 mijë vende pune në mandatin e parë qeverisës dhe reformat e tjera të premtuara nga kjo mazhorancë, Harito pranon se situata është edhe më e vështirë sesa ishte perceptuar më parë. “Ky është objektivi ynë dhe po bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të kthyer besimin e investitorëve dhe rimëkëmbur shtetin ligjor. Situata është e vështirë, edhe më e vështirë sesa e kishim perceptuar”, - shprehet Harito.

Znj. Ministre, pas çdo ndërrimi qeverish në vend, administrata është vendi ku përdoret më shumë fjala reformë, shkurtime, përjashtime. Të gjitha këto bëhen me synimin për ta bërë më moderne dhe të pavarur, kështu u tha dhe në vitin 2005. Çfarë garancish ka që këtë herë reforma do të jetë ajo e duhura?

Është shumë e vërtetë çka me të drejtë pyesni, pasi rotacionet politike janë pasuar gjithnjë, siç thuhet rëndom, me “fshesa” në administratë. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë, kur Partia Demokratike u rikthye në pushtet në vitin 2005. Largimet e panumërta nga detyra, nxjerrja në lista pritje apo shkarkimet krejtësisht arbitrare që kjo parti ndërmori, e çuan administratën publike vite të tëra prapa. Pasojat e këtyre veprimeve ishin të menjëhershme dhe me peshë si për nga cilësia e shërbimit publik ashtu si për nga fatura buxhetore.

Taksapaguesit shqiptarë jo vetëm duhet të suportonin një shërbim publik që të tillë kish veç emrin, pasi arroganca dhe fudullëku të shoqëruar nga korrupsioni, e shndërruan atë në një makth për ta, por xhepat e tyre duhet të përballonin dy funksionarë për një post të vetëm. Mbi 80 për qind e vendimeve të gjykatave detyronin në fakt shtetin të dëmshpërblinin funksionarin e larguar pa motiv nga detyra. Ju garantoj që administrata që unë drejtoj dhe qeveria, në të cilën bëj pjesë, nuk do të sillet në mënyrë arbitrare për arsye politike. Prova e parë për këtë janë konkurset e hapura që ne po organizojmë, gjë që gjithkush ka mundësinë ta verifikojë, ju gazetarët të parët.

Dhjetëra kandidatë vijnë në këto konkurse, sepse ne i lajmërojmë personalisht nëpërmjet bazës së të dhënave të kandidatëve potencialë, e cila është një risi. Reformimi i administratës publike po vazhdon për të bërë të zbatueshëm ligjin e ri të nëpunësit civil, me hartimin e akteve shumë të rëndësishme nënligjore. Me këtë rast, dua të përgëzoj Departamentin e Administratës Publike për punën e paimagjinueshme dhe cilësore që po bën me një staf të reduktuar, si dhe të falënderoj Komisionin Europian për mbështetjen e tij të fuqishme për përfundimin e këtij procesi. Ne jemi të angazhuar dhe do të ndërtojmë një administratë të depolitizuar, e cila të jetë realisht në shërbim të qytetarëve. Megjithatë, ky është një proces që kërkon kohën e tij dhe duhet të tregohemi të duruar, pasi efektet e tij kërkojnë pak kohë para se të fillojnë të ndihen.

Synimi për të rritur ndjeshëm transparencën në administratën shtetërore dhe luftuar dukurinë e korrupsionit, që prej vitesh ka dëmtuar vendin tonë në shumë këndvështrime, ka qenë motoja kryesore në ministrinë që ju drejtoni. Si do të ndodhë?

Lufta që i kemi shpallur fenomenit të korrupsionit është një betejë që kërkon vullnet dhe vendosmëri të palëkundur. Qeveria jonë i ka të dyja, edhe vullnetin edhe vendosmërinë për të mos u përkulur përpara presioneve të të gjitha llojeve dhe jam e bindur që do t’ia arrijë të mposhti me sukses këtë fenomen që ka paralizuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare prej vitesh me radhë. Kjo luftë e përditshme do të fitohet duke dhënë së pari shembullin e mirë nga ata që zotërojnë poste të rëndësishme publike.

Ne që jemi përkohësisht në postet e larta drejtuese të qeverisë, duhet të jemi të parët që të mos lëmë asnjë hije dyshimi dhe të mos bëjmë asnjë kompromis në kurriz të qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë. Kam kënaqësinë të jem pjesë e një ekipi qeverisës, i cili është një shembull i mirë i transparencës dhe vullnetit për të luftuar korrupsionin. Lufta ndaj korrupsionit do të fitohet mbi të gjitha duke filluar nga respektimi i ligjit prej nëpunësit civil dhe gjithë trupës administrative. Gjithsecili gëzon të drejta, që me përfundimin e ligjit të ri të nëpunësit civil do të forcohen, por duhet të ndërgjegjësohet edhe për përgjegjësitë dhe detyrimet e tij. Kush nuk e respekton do të japë llogari. Ne do të rrisim transparencën në vendimmarrje dhe do të përfshijmë aktorët publikë në vendimet tona duke i bërë pjesë të procesit qeverisës.

Dhe gjithashtu, ne kemi për të nxjerrë përpara drejtësisë cilindo person apo cilëndo procedurë që nuk është në përputhje me ligjin. S’do të ketë kurrsesi imunitet për asnjë person që do të ketë vepruar kundër ligjit. Ne luftën kundër korrupsionit, qeveria jonë, ndonëse nuk ka mbushur akoma 3 muaj në detyrë, ka rezultate mjaft pozitive, të cilat janë përshëndetur nga Komisioni Europian. Por kjo qeveri s’do të ndalet me kaq.

Ne kemi një sërë projektesh për të informatizuar dhe digjitalizojmë shumë shërbime publike, të cilat do të ulin ndjeshëm mundësitë e abuzimit që kanë ndodhur vite me radhë nëpër sportelet dhe zyrat ku duhet të shërbehen qytetarët. Teknologjia do të jetë një armë shumë efikase kundër korrupsionit.

Ju znj. Ministre keni qenë pjesë e disa takimeve lidhur me analiza për situatën pas vendimit të Kryeministrit për mbylljen e faqeve elektronike të lojërave të paligjshme të fatit, sigurimi i vijueshmërisë së aksionit dhe mundësia për krijimin e një platforme monitorimi. Cilët janë projektet konkrete dhe kur do të nisë zbatimi?

Këto aktivitete të paligjshme u shkaktojnë në radhë të parë përdoruesve dëme sociale, shëndetësore dhe ekonomike, e njëkohësisht dëm financiar shtetit, sepse sasi të mëdha parash dalin jashtë ilegalisht.

Pas vendimit për mbylljen e këtij aktiviteti të paligjshëm, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, së bashku me AKEP dhe Njësinë Mbikëqyrëse të Lojërave të Fatit (NJMLF), jemi duke vijuar për aplikimin në vijimësi e këtij vendimi. Më lejoni të falënderoj aktorët privatë që operojnë në tregun e telekomunikacioneve për vullnetin dhe gatishmërinë e treguar në këtë ndërmarrje të madhe duke i mirëkuptuar për vështirësitë që kanë ndeshur dhe kohën e shkurtër të zbatimit të urdhrit. Numri i websiteve të basteve është shumë i lartë dhe ata ndërrojnë shpesh adresat. Për të zgjidhur këtë problem do të krijojmë një qendër monitorimi të aktiviteteve të lojërave të fatit, e cila do të mundësojë mbajtjen nën kontroll online, në mënyrë të vazhdueshme të këtyre aktiviteteve të paligjshme, duke ndihmuar kështu edhe operatorët e shërbimeve të internetit (ISP). Ky do të jetë një aksion i organizuar nga NJMLF me bashkëpunimin e AKEP si ndërmjetës mes NJMLF dhe kompanive ofruese të shërbimeve internet.

Është folur për një model të ri në procesin e emërimeve në administratë. Por, sipas opozitës, gjatë dy muajve nuk kanë munguar emërimet politike, siç ishte rasti i drejtorëve të Drejtorive Arsimore. Mendoni se të gjitha emërimet e bëra së fundmi kanë qenë transparente dhe larg ndikimeve politike?

Opozita që pas humbjes historike të 23 qershorit, duket qartazi se ka vështirësi për t’u strukturuar dhe organizuar rreth një mesazhi dhe aksioni politik konstruktiv dhe të qartë. Vërej se nuk kanë arritur dot të lënë zakonin e recitimit të përditshëm të deklaratave, të cilat përmbajnë vetëm gënjeshtra dhe akuza shpifëse nga më qesharaket. Dikush duhet t’u thotë që shqiptarët janë më të zgjuar për të besuar pohimet që as ata që i recitojnë nuk i besojnë. Megjithatë, ju përgjigjem se jo vetëm besoj që konkurset për DAR-et kanë qenë transparente, por ato janë një shembull i suksesshëm që Znj. Nikolla dhe ministria që ajo drejton ka ndërmarrë, dhe që të gjithë ne duhet ta ndjekim. Është hera e parë që drejtorët e DAR zgjidhen me konkurse të hapura, me praninë e publikut dhe të mediave. Ky është fakti përkundrejt baltës që hedh opozita.

Nëse synimi i mazhorancës është shmangia e emërimeve politike, a keni menduar se efekti do të jetë shumë negativ në elektorat, e për pasojë në zgjedhjet e ardhshme?

Nuk jam dakord pasi elektorati na votoi aq masivisht (1 milion vota), për të rimëkëmbur një vend të lënguar nga shumë pikëpamje (ekonomike, shoqërore, urbanistike etj). Populli shqiptar na besoi qartazi mekanizmat e shtetit për të rikthyer në radhë të parë shtetin e së drejtës. Ne jemi sot aty për të aplikuar ligjin në emër të gjithë shqiptarëve dhe për të mos penalizuar dhe diskriminuar askënd që nuk ka mbështetje dhe njohje më ofiqarë. Elektorati ynë, ashtu si gjithë shqiptarët, duan të jetojnë në një vend ku rregullat aplikohen njësoj për të gjithë. Në konkurset që do të shpallen do të mund të konkurrojnë si mbështetës të qeverisë ashtu si mbështetës të forcave opozitare. Ne do të ndërtojmë një administratë profesionale dhe të depolitizuar e cila është në shërbim të të mirës së përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë do të krijohen kushtet që edhe sektori privat të veprojë në një ambient ligjor dhe ekonomik të sigurt dhe të krijojë pasuri. Themi që duam të integrohemi në Europë, e pra Europa kështu funksionon.

Gjatë fushatës elektorale, PS premtoi hapjen e 300 mijë vendeve për punësim. A ka një plan sa do të jetë numri i të punësuarve gjatë mandatit të parë qeverisës?

Ky është objektivi ynë dhe po bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të kthyer besimin e investitorëve dhe rimëkëmbur shtetin ligjor. Situata është e vështirë, edhe më e vështirë sesa e kishim perceptuar.

Ditët e para pas fitores u fol për krijimin e një modeli të ri qeverisës, ku çdo ministër do të linte mandatin e deputetit. Çfarë po bëhet në këtë drejtim? Fakti që nuk e ka lënë mandatin asnjë ministër, do të thotë që kjo ide nuk shihet me aq optimizëm sa më parë?

Kjo është vetëm çështje kohe.

 

//Intervistë në Koha Jonë