Postuar më: 01 Shkurt 2015

Administrata, qytetarët duhet që të besojnë tek konkurset

 

Administrata publike, jo rrallë ka krijuar pakënaqësi në radhët e publikut për shkak të performancës dhe shërbimit të dobët ndaj qytetarëve. Teksa nepotizmi dhe korrupsioni janë disa nga shkaqet kryesore që kanë çuar në pakënaqësi të shumta mbi mënyrën se si funksionon administrata. Dhe për ta ndryshuar këtë situatë, ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, e drejtuar nga Milena Harito prej gati 1 viti e gjysmë, ka shpallur konkurse për ta ndryshuar në tërësi administratën. Në një intervistë të posaçme për “Koha Jonë”, ministrja Harito flet konkretisht mbi punën e bërë deri më tani, si edhe përpjekjet për të përmirësuar gjendjen...

Kohët e fundit po flitet shumë për pranimet në administratë. Cilat janë kriteret bazë të përgjithshme që duhet të ketë një individ për të hyrë aty dhe sa e sigurt është që këto kushte do të zbatohen?

Administrata publike është si sistemi i qarkullimit të gjakut për vendin. Ajo e dinamizon gjithë ekonominë dhe shoqërinë nëse është efikase, por mund ta bllokojë nëse është jofunksionale. Reforma rrënjësore që po zbatohet që prej shtatorit 2014 synon të ndryshojë krejt fytyrën e shërbimit civil, pra të administratës qendrore në Republikën e Shqipërisë.Një nga parimet bazë të kësaj reforme është meritokracia. E lehtë për t’u thënë, por jo aq e lehtë për t’u zbatuar në praktikë. Sepse të gjithë biem dakort në teori për meritokracinë, por pastaj gjithkush mendon që vëllai apo djali i tezes, apo miku duhet ndihmuar. Atëherë, si ndërtohet një sistem i drejtë dhe që u jep mundësi të barabarta të gjithëve? Procesi i rekrutimit që kemi vënë në funksionim prej gjashtë muajsh, mbështetur në ligj, nis me aplikimet vetëm online dhe vijon me konkurse të bazuara në testime tërësisht transparente, të sekretuara, ku secili kandidat tregon aftësitë profesionale. Fituesit sipas renditjes së tyre, përzgjedhin institucionin ku do të punojnë dhe nuk është më drejtuesi i institucionit që mund të zgjedhë apo të parazgjedhë cilindo kandidat. Kriteri bazë në këtë reformë, është vetëm profesionalizmi dhe përgatitja për profilin e punës për të cilën kandidati aplikon.

Nga ana tjetër, kemi akuzat e opozitës që flasin për emërime pa kritere dhe për futjen në administratë të personave me precedentë penalë. Si mund të shmanget ky fenomen?

Për këtë çështje, sapo është ngritur një komision parlamentar hetimor. Le ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të japë konkluzione dhe rekomandime të bazuara në ligj.

Qeverisja e kaluar është akuzuar për nepotizëm në administratë, po tani sa mendoni se është i pranishëm ky fenomen?

Nuk është sekret që trashëguam një administratë, ku lidhjet politike dhe farefisnore të siguronin vendin e punës. Në një vend të vogël si ne, nuk është e lehtë të ndahesh nga këto praktika, por nuk kemi rrugë tjetër. Nëse duam të modernizohet shteti dhe shoqëria në përgjithësi, nëse duam që rinia të përparojë dhe të jetë e motivuar të punojë në mënyrë të ndershme, duhet qartësisht të ndahemi nga këto praktika dhe të zbatojmë me rigorozitet këtë reformë, e cila ka si synim kryesor transformimin e administratës publike duke e bërë atë një sektor të bazuar në meritokraci. Pikërisht, fillimi i zbatimit të kësaj reforme po dëshmon ndryshimin rrënjësor që po ndodh sot.

Në gusht të vitit të kaluar, Depratamenti i Administratës Publike shpalli 113 vende vakante për të cilat pati 5,200 aplikime dhe pas konkursit dolën fitues vetëm 38 aplikantë, të cilët janë sot pjesë e administratës tonë. Në tetor 2014, Departamenti shpalli 148 vende vakante për të cilat pati rreth 7.000 aplikime. Rritja e numrit të aplikimeve tregon qartazi për rritjen e besimit të qytetarëve në këtë proces rigoroz dhe të drejtë. Në konkurset e fundit të zhvilluara në dhjetor të 2014 dolën 114 fitues. Rritja e numrit të fituesve dëshmon për rritjen e seriozitetit dhe angazhimit të aplikantëve në procesin e testimit ashtu siç edhe tregon se me këto konkurse jemi duke përthithur kandidatë me përgatitje më të lartë profesionale.

Cilat janë strategjitë e reja që ministria juaj është duke ndërmarrë, pasi është përfolur për projekte të reja që do të ndihmojnë në transparencën jo vetëm ndërinstitucionale, por edhe ndërmjet qytetarëve?

Ne jemi duke drejtuar e zbatuar një sërë projektesh, të cilat kanë në bazë rritjen e transparencës dhe ngritjen e sistemeve që pengojnë korrupsionin. Sepse siç e përshkruam më lart, vetëm ngritja e një sistemi të plotë, ligjor, por dhe të zbatueshëm praktikisht, i bën reformat të qëndrueshme në kohë. Unë mund t'ju përmend reformën e informacionit hartografik, i cili ka qenë një ndër katastrofat e viteve të fundit që ka rënduar edhe më shumë çështjet e pronësisë. Kjo reformë filloi me ngritjen e një portali të përbashkët geoportal.asig.gov.al, ku për herë të parë u hodhën informacionet hartografike të mbi 10 agjensive, të cilat deri në atë moment operonin secila me hartat e veta, të pakrahasuara dhe të papërputhura midis tyre. Kjo fazë e parë mundëson akses transparent, falas, jo vetëm për insitucione, por edhe për qytetarët, në informacionet mbi gjendjen e tokave, pronave, hartave, burimeve etj. Më tej, kjo reformë po vazhdon me fotografimin ajror të Shqipërisë sipas teknologjive më të përparuara, që do të shërbejë si bazë për krijimin e një kadastre kombëtare multi-funksionale dhe të një sistemi të njehsuar adresash. Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm është edhe ndërtimi i Qendrës së Shërbimeve Publike të Integruara, i cili do të qendërzojë shërbimet publike dhe do të lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve, duke penguar korrupsionin dhe rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytatarit.

Ekziston një kategori individësh të cilët edhe pse kanë fituar vendet e punës pa të drejtë në administratë, kanë fituar eksperiencë edhe sot. Shumë të tjerë pretendojnë se janë më të arsimuar dhe të talentuar, por janë të papunë dhe në këtë mënyrë në konkurset për administratën publike, vendet vakante janë tepër të vogla. Si e vlerësoni këtë fenomen?

Shqipëria ka administratën më të vogël në rajon për frymë, kemi në administratë, rreth 90 mijë punonjës në total, nga të cilët afërsisht 20 mijë janë nëpunës civilë. Në shërbimin civil pranohesh vetëm nëpërmjet konkurseve. Numri i vendeve vakante të shpallura nga Departamenti i Administratës Publike është në përmbushje të nevojave të institucioneve dhe eksperienca e deritanishme e konkurseve tregon se vendet vakante kanë qenë më të shumta sesa fituesit e konkursit. Kjo do të thotë që ka një mospërputhje të nivelit profesional të kandidatëve, të cilët nuk arrijnë të dalin fitues. Nga ana tjetër, këto kritere të forta aplikohen sot për ata që hyjnë rishtas në administratë, por këtë vit, në bazë të ligjit, do të forcohen edhe kriteret e vlerësimit dhe testimit të punonjësve që janë aktualisht pjesë e shërbimit civil.

Cilat janë projektet e reja që ministria e Inovacionit do të hapë për publikun? Dhe a do të kemi përsëri kompeticione ku thelbi do të jenë të rinjtë?

Një sërë kompeticionesh janë organizuar gjatë vitit 2014 për të nxitur idetë novatore dhe krijimin e start-up në fushën e teknologjisë së informacionit në veçanti. Ndërkohë dhe nga disa organizata po jepet mbështetje për forcimin e rritjen e disa prej këtyre mini-kompanive. Kemi edhe disa bashkëpunime me partnerë që do të konkretizohen në muajt ne vijim.

Inovacioni dhe teknologjia kanë qenë në programin e Partisë Socialiste si një nga sektorët që mund të rrisnin ndjeshëm numrin e punësimeve. Në më shumë se një vit çfarë është bërë në këtë drejtim?

Shifrat e analizave ndërkombëtare tregojnë që sektori privat nuk e ka rritur mjaftueshëm produktivitetin në 10 vitet e fundit. Rritja e produktivitetit kalon nga modernizimi në përgjithësi dhe nga përdorimi masiv i teknologjisë së informacionit. Në këtë drejtim, shteti po investon shumë për modernizimin e qeverisjes, duke përcaktuar këtë vit për herë të parë edhe një buxhet specifik për dixhitalizimin, duke dhënë kështu modelin dhe drejtimin ku duhet shkuar, ndërkohë që sektori privat është ende pas dhe duhet të ndjekë këtë rrugë.

Në kaq kohë qeverisje, si do ta vlerësonit qeverisjen e majtë? Disa ministri kanë pasur më shumë rezultate dhe disa të tjera kanë qenë disi në hije. Sipas jush, kjo ka ardhur si pasojë e faktit që vëmendja është përqendruar tek rendi dhe ndërtimet pa leje, apo disa ministra nuk po ndjekin dot angazhimet e programit qeverisës.

Reformat janë masive kudo. Thjesht disa janë më të dukshme për publikun e disa më pak. Por të gjitha kërkojnë po atë angazhim dhe intensitet pune. Ne ndihemi të gjithë pjesë e një ekipi modernizues dhe e një maxhorance që ka marrë përsipër ta çojë Shqipërinë shumë hapa përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

//Intervistë në Koha Jonë