Postuar më: 22 Shtator 2015

Shërbimet publike, ministrja Harito prezanton formularët e standartizuar

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj.Milena Harito ka prezantuar sot një tjetër hap të rëndësishëm të reformës në Shërbimet Publike, që është formulari i standartizuar që do të përdoret nga 15 institucione shtetërore për të ofruar rreth 180 shërbime për qytetarët. Gjatë seminarit me temë “Praktikat më të mira dhe standardet e cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ku merrnin pjesë edhe ambasadorja e delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin si dhe ambasadori Italian, Massimo Gaiani, ministrja Harito në fjalën e saj ka thënë:

“Është kënaqësi të ndajmë me ju sot disa nga rezultatet që ka arritur reforma në Shërbimet Publike gjatë këtij viti edhe sepse duke filluar që nga nesër hyjmë në një fazë shumë më intensive të reformës. Nesër do të firmoset kontrata me Bankën Botërore për mbështetjen me mbi 30 milionë dollarë, për implementimin intensiv të reformës në të gjithë institucionet.

Ndërkohë me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian, me mbështetjen e veçantë të Qeverisë Italiane kemi realizuar tashmë një sërë hapash në drejtim të kësaj reforme. Hapi i parë, shumë i rëndësishëm ishte të bënim një inventar të plotë të atyre që quhen shërbime publike në sportel. Deri përpara një viti nuk dihej se sa shërbime ofronte shteti shqiptar. Sot ne kemi listuar mbi 1400 shërbime në sportel, të mirëidentifikuara dhe qartësisht të specifikuara.

Gjatë kësaj periudhe është realizuar edhe ai që quhet kodifikimi unik i këtyre shërbimeve. Çfarë do të thotë? Kjo do të thotë që kur shkon dhe merr një shërbim në një sportel, ai institucion ku merret shërbimi ka nevojë të bashkëpunojë më institucione të tjera. Deri dje, si quhej shërbimi në një institucion, nuk quhej në një institucion tjetër, si quhej një formular aplikimi në një insitucion, nuk quhej në një tjetër. Dhe kjo shkakton vonesa, shkakton keqshërbim për qytetarët, sepse sigurisht që vonesat janë keqshërbim, por kjo është dhe një mënyrë për të bërë korrupsion.

Për këtë arsye standardizimi i procedurave dhe i shërbimeve është një nga mënyrat për të përmirësuar shërbimin dhe për të luftuar korrupsionin. Dhe një rezultat i parë që mund të tregojmë sot është ky formular, që duket në pamje të parë si një gjë shumë e thjeshtë, por që diçka që ka kërkuar disa muaj punë me mbështetjen e ekspertëve të Bashkimit Europian dhe sipas standardeve më të mira europiane.

Është një dokument që e ka çdo administratë e vendeve të BE-së. Një mënyrë për të përcaktuar qartë se çfarë i duhet qytetarit kur ai kërkon një shërbim dhe për të identifikuar në mënyrë unike shërbimin. Deri dje formularët ishin krejtësisht të ndryshëm, pa asnjë lloj kodifikimi, pa asnjë lloj standardizimi, por sipas metodologjisë së përdorur nga institucionet që i kishin përgatitur.

Tashmë për 280 shërbime dhe 15 institucione kemi këtë lloj formulari unik, që nuk është një shpikje e jona, është një model që përdoret në të gjitha vendet e BE-së, por që tashmë do të aplikohet edhe në të gjitha institucionet tona. Procedurat për aplikim kanë filluar me institucionet e përfshira që në muajin korrik.

Faza tjetër e kësaj reforme, e cila po ashtu ka nisur prej disa muajsh është krijimi i një agjencie, e cila quhet Qendra e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA), e cila do të vendosë standardet e shërbimeve për të gjithë shtetin shqiptar në mënyrë të integruar në bazë të parimeve të kujdesit ndaj klientit. Për t’a bërë më të kuptueshme këtë gjë mund të marrin si shembull shërbimet e ofruara nga qytetarët në bankat e mëdha, apo në kompanitë e mëdha. Qëllimi ynë që është që këtë model cilësor të shërbimeve ta ofrojmë në të gjithë sportelet e shtetit. Kjo është një qasje e integruar. Pra nuk do të lihet në dorë të institucioneve që ta zbatojnë atë në praktikë dhe për këtë arsye kemi ngritur një agjenci e cila do t’i vendosë standardet për të gjithë dhe do t’i kontrollojë ato.

Për herë të parë ne tashmë kemi një kod unik për çdo shërbim, nga ato 1400 që përmendëm më lart. Ky kod fillon gjithmonë me gërmat AL, me gjashtë numra që identifikojnë në mënyrë unike shërbimin. Pra çdo institucion e di qartë se për çfarë bëhet fjalë dhe sigurisht që këto formularë kanë të njëjtën pamje. Në to kërkohet numri i identitetit të qytetarit, që është baza e ndërlidhjes së gjithë sistemeve tona dhe disa të dhëna të tjera të domosdoshme. Ky është hapi i parë i thjeshtimit të procedurave për marrjen e shërbimeve nga qytetarët.

Qëllimi i gjithë kësaj reforme është që të ngremë një sistem. Sepse ne jemi të vetdijshëm se përmirësimi i shërbimeve publike nuk mund të jetë diçka që lihet në iniciativën e çdokujt, apo në preferencën institucioneve të veçanta, sepse pikërisht këtu ka shteg për korrupsion, ka vend për arbitraritet. Që nga momenti që ngrihen sisteme të tilla, që kodifikojnë në mënyrë shumë të qartë gjithë procesin që do të ndjekë qytetari për të marrë shërbimin, që në këtë moment i pritet rruga korrupsionit”.