Postuar më: 23 Shtator 2015

Rivendosje e shtetit në një nga funksionet e veta kryesore: Shërbimin ndaj publikut

Nënshkrimi i marrëveshjes së huadhënies për ofrimin e shërbimeve me në qendër qytetarin midis Bankës Botërore dhe Republikës së Shqipërisë, i hap rrugë implementimit në praktikë të reformës më të thellë në Shërbimet Publike në vend. Duke marrë fjalën në ceremoninë e zhvilluar me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka theksuar se kjo reformë synon pikërisht rivendosjen e rregullave të qarta të lojës në shërbimet për publikun, mekanizmave të kontrollit, në rivendosjen e shtetit në një nga funksionet e veta kryesore: Shërbimin ndaj publikut. Në fjalën e saj ministrja Harito u shpreh:

“Jemi këtu sot për të kurorëzuar një punë 1-vjeçare për pregatitjen e reformës së përmirësimit të shërbimeve publike në sportelet e shtetit shqiptar.

Të gjithë e dijmë, që prej 20 vjetësh qytetarët tanë ndeshin vështirësi, në rradhë të parë për tu informuar qartë mbi të drejtat dhe shërbimet e tyre, për të marrë përgjigje në kohë dhe me cilësi, hasin praktika korruptive si dhe shpeshherë arrogancën e nëpunësve publike, të cilët nuk ndihen aspak shërbyes të taksapaguesve por pronarë të karrigeve të tyre.

Kjo reformë synon pikërisht rivendosjen e rregullave të qarta të lojës në shërbimet për publikun, mekanizmave të kontrollit, në rivendosjen e shtetit në një nga funksionet e veta kryesore: Shërbimin ndaj publikut.

Gjatë këtij viti me mbështetjen e Komisionit Europian, PNUD, Cooperazione Italiana kemi arritur disa rezultate të para në reformën e Shërbimeve Publike: Për herë të parë kemi një inventar të 1400 shërbimeve që nuk ekzistonte, kodifikim unik të tyre, i cili lehtëson shkëmbimin midis institucioneve, formularë standard, bashkëkohorë, si në çdo shtet modern, si edhe shtim të konsiderueshëm të shërbimeve online në portalin unik të shtetit shqiptar “eAlbania”.

Qeveria jonë ka ndërmarrë në këto dy vjet një sërë reformash të domosdoshme: Pagesat e energjisë, mbylljen e universiteteve fantazëm, luftën ndaj kultivuesve në dukje të paprekshëm të kanabisit, reformën e rekrutimit në shërbimin civil dhe së fundmi aksionin kundër informalitetit, të cilat mund t’i përmbledhim gjithnjë në të njëjtën mënyrë: Vendosja e të njëjtave rregulla për të gjithë, qytetarë dhe biznese, vleresimi i perpjekjeve të qytetareve dhe bizneseve që besojnë se ja dalin me punë dhe ndershmëri.

Me reformën e shërbimeve publike, e cila që nga sot hyn në fazën e implementimit intensiv, këtë herë rregullat e qarta të funksionimit do të vendosen për vetë funksionimin e administratës shtetërore. Ashtu si çdo qytetari dhe biznesi i kërkohet të respektoje rregullat, ashtu edhe administrata vetë duhet të jetë e para që i respekton ato.

Dy falenderime të veçanta për t’a mbyllur. Së pari falenderoj Bankën Botërore, me të cilën kemi punuar intensivisht çdo ditë për të arritur në një kohë rekord sot këtu dhe ekipin tim që bëri të mundur këtë rezultat. Ekip i denjë për çdo administratë të çdo vendi modern”.