Postuar më: 02 Shkurt 2016

Qeveria e vendosur për të rritur transparencën dhe forcuar shërbimet publike

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike ka marrë pjesë në prezantimin e gjetjeve të Sondazhit të Opinionit Publik “Besimi në Qeveri” për vitin 2015 në Shqipëri, realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Duke marrë fjalën në këtë aktivitet ministrja Harito theksoi se Qeveria është e vendosur për të rritur transparencën e punës së saj përmes konsultimit publik, si dhe për të reformuar thellësisht shërbimet publike që u ofrohet qytetarëve. Më poshtë mund fjala e plotë e Ministres Harito:

 

“Faleminderit IDM për organizimin e këtij sondazhi për besimin në qeverisje dhe më vjen vërtet shumë mirë që jemi këtu duke diskutuar mbi bazën e këtyre shifrave, sepse qartësisht ne e shikojmë sondazhin jo si një gjykim, por si një bazë statistikore për të arsyetuar mbi diçka konkrete.

Shpesh herë gjykojmë mbi opinione, por në fakt është shumë mirë që të flasim mbi shifra dhe të dimë se si progresojmë, sepse në fund të fundit ajo që ka rëndësi është a bëjmë progres apo jo.

Për të shkuar pak më tej për çështjen e besimit, në të vërtetë jemi totalisht të ndërgjegjshëm që është ndoshta bërthama e gjithë vështirësive të shoqërisë shqiptare, por edhe bërthama e mirëfunksionimit të kësaj shoqërie.

Për të dhënë një shembull disi pak më larg nga realiteti ynë i përditshëm, vetëm të kujtojmë atë që ndodhi me krizën botërore në vitin 2008. Të gjitha analizat tregojnë që ishte mbi të gjitha një thyerje e besimit. Pra nuk ka asnjë institucion, asnjë dokument, asnjë ligj që e bën një shoqëri të funksionojë nëse nuk ka besim. Në këtë kuptim ndërtimi i besimit është diçka esenciale, ashtu siç është në jetën tonë të përditshme sociale, në familje, në gjithçka.

Pa besim nuk ka institucion që të rregullojë shoqërinë. Në këtë kuptim jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që ndërtimi i këtij besimi është diçka e domosdoshme, por njëkohëssht edhe shumë e vështirë, sepse është shumë më e kollajtë të shkatërrosh besim se sa të ndërtosh besim.

Për këtë arsye më vjen mirë që kemi aprouar dy ligje shumë të rëndësishme që gjithësesi kaluan disi pa shumë zhurmë dhe debat. Ligji “Për Konsultimin publik” dhe ligji “Për informimin publik” duket sikur janë gjëra që nuk rregullojnë në mënyrë të menjëhershme jetën e përditshme dhe ndoshta ashtu është, por japin instrumente shumë të fuqishme për të ndikuar, për të përmirësuar qeverisjen. Instrumente që ende nuk përdoren mjaftueshëm, ndaj roli i shoqërisë civile për ndërgjegjësimin e qytetarëve është thelbësor.

Ndërkohë ligji “Për konsultimin Publik” ka bërë që praktikisht të gjithë dokumentet e rëndësishme të shtetit të jenë konsultuar gjerësisht në 2 vitet e fundit. Mjafton të përmendim një sërë strategjish si për shembull strategjia antikorrupsion, strategjia e Administratës Publike, e decentralizimit, një sërë ligjesh të rëndësishme si ai i vetqeverisjes vendore, ligji i Shërbimeve Publike që do kalojë për pak javë në parlament dhe një sërë strategjish e ligjesh të tjerë që prekin po thuajse të gjithë sektorët.

Pra konsultimi publik ka njohur një përmirësim, por sidoqoftë nuk është e mjaftueshme. Ajo që është e rëndësishme këtu, është ndërgjegjësimi. Edhe ky takim që bëjmë sot këtu është pjesë e ndërgjegjësimit.

Një nga gjetjet e sondazhit është fakti se qeveria gëzon në publik një besim më të madh se parlamenti. Në shumicën e vendeve të botës do të ishte e ishte e kundërta për një arsye shumë të thjeshtë, sepse qeveria duke qenë e përballur me punën dhe vështirësitë e përditshme, duke kryer reforma që shpesh herë kanë edhe kosto, por janë të domosdoshme, sigurisht që e ka më “të lehtë” të bëjë njerëz të pakënaqur. Dhe kështu është kudo në botë.

Fakti që te ne Parlamenti është më pak i besueshëm se sa qeveria tregon që cilësia e debatit në parlament duhet të rritet, që përgjegjësia e të gjithë neve në këtë debat është shumë e madhe. Kemi një rol të domosdoshëm për t’a ndryshuar këtë situatë, sepse parlamenti mund dhe duhet të jetë një institucion i besueshëm.

Konstatoj me shumë kenaqësi se nga sondazhi i zhvilluar ka rezultuar që komunitetet fetare kanë një nivel shumë të lartë besimi në Shqipëri. Kjo tregon që ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për rolin që komunitetet fetare luajnë në vendin tone dhe kemi nevojë për këtë paqe dhe harmoni midis komuniteteve. Është një traditë historike, është një element shumë pozitiv për të cilin jemi ndërgjegjësuar dhe më shumë kur shikojmë se si shkon kjo histori në pjesë të tjera të botës, por mendoj që edhe qeveria ka pasur rolin e vet për ta vënë në pah dhe promovuar këtë vlerë, këtë meritë të qytetarëve shqiptarë. Qeveria ka luajtur rolin e saj në disa momente, por një prej tyre dhe ndoshta më i rëndësishmi, ishte ftesa dhe organizimi i pritjes së Papa Françeskut në Shqipëri, ku harmonia fetare e shqiptarëve pozitive u soll në vëmendjen e gjithë botës.

Është sinjifikative që shërbimet e emergjencave dhe të policisë shënojnë një përmirësim dhe besueshmëri më të lartë. Patjetër që këtu luan një rol edhe Komisariati Dixhital dhe kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarin.

Në fakt kemi shumë instrumente kontakti me qytetarët, kemi një portal unik të shërbimeve qeveritare që është e-Albania, por Komisariati Dixhital ka një veçori shumë pozitive, të cilën po përpiqemi ta transpozojmë në gjëra të tjera, është shumë i thjeshtë në përdorim.

Këtu gjej rastin të ndalem në një çështje që është ngritur nga sondazhi i IDM, që është fakti se 65% e qytetarëve besojnë se teknologjia ndikon në përmirësimin e transparencës dhe rritjen e besimit, por teknologjia duhet të jetë e thjeshtë.

Nëse teknologjia bëhet e komplikuar, ajo nuk e luan më funksionin e vet. Dhe sigurisht kjo është një përkjekje e madhe që ne duhet ta fitojmë. E kemi fituar në rastin e Komisariatit Dixhital dhe po përpiqemi ta shtrijmë në fusha të tjera në të njëjtën formë.

Dua të ndalem pak te shërbimet në shëndetësi, të cilat për fat të keq, për shkak të një debati të lindur nga fakti se shërbimet janë implementuar me Partneritet Publik-Privat ka zhvendosur vëmendjen nga përmirësimi i këtyre shërbimeve në Shqipëri.

Dua të përmend dy shërbime të rëndësishme, njëri që prek popullsinë në mënyrë masive dhe tjetri që u vjen në ndihmë më pak njerëzve, por që është jetik për ta.

Shërbimi Check-Up, i cili vendos për herë të parë në Shqipëri, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, për shkak të traditës sonë historike ku kontrolli periodik shëndetësor, nuk është diçka që e kemi në kulturën tonë të përditshme.

Në vende të tjera, njerëzit për shumë arsye e bëjnë këtë kontroll në mënyrë më të zakonshme. Futja e kontrollit falas, përveç faktit që është një hap drejt një sërë shërbimesh shëndetësore falas, synon edhe të krijojë këtë ndjeshmëri për kontrollin, të detektojë në faza të hershme sëmundjet dhe nga ana tjetër të bëjë një konstatim të plotë të situatës shëndetësore të popullsisë në mënyrë që më pas të bëjmë hapa të tjerë drejt shëndetësisë falas, por mbi bazën e një konstatimi të plotë të situatës në Shqipëri.

Ky shërbim na prek të gjithëve, por për fat të keq debati u zhvendos në mënyrën e realizimit të kësaj reforme. Nëse shërbimi realizohet me partneritet publik-privat apo me blerje të drejtpërdrejtë në treg ky është një detaj më teknik.

Po ashtu kemi shërbimin tjetër në shëndetësi, atë të Hemodializës, i cili prek më pak njerëz, por ndikon në mënyrë më thelbësore në jetën e tyre, sepse është diçka që duhet bërë disa herë në javë, me orë të tëra të zgjatura. Tashmë ky shërbim do t’u ofrohet qytetarëve më afër vendbanimeve të tyre, me të njëjtin çmim, shumë më pranë vendbanimit të tyre. Dhe përsëri përceptimi nuk u drejtua drejt shërbimit dhe cilësisë së tij, por drejt mënyrës se si do të realizohej kjo gjë.

Partneritetet Publik – Privat janë domosdoshmëri tek ne në shqipëri, por edhe në gjithë Ballkanin. Studimi i Qendrës Europiane të Partneritetit Publik – Privat vëren se Ballkani ka nevojë në 10 vjet, për 110 miliardë euro investime, para publike të cilat vendet e rajonit nuk i disponojnë. Një nga mënyrat për të realizuar një pjesë të këtyre shërbimeve duke përmirësuar jetën e qytetarëve janë partneritetet Publik - privat. Realizimi i partneriteteve publik – privat, megjithë kompleksitetin e tyre, është një domosdoshmëri që ne të ecim më shpejt për të plotësuar këtë boshllëk që kemi në investimet e mundshme.

Ndërsa reforma e shërbimeve publike administrative në sportelet e shtetit si pjesë e Reformës së Administratës Publike përfshin 9 ministri, 20 institucione. Modeli konkret i zbatimit të kësaj reforme është Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të cilën ata që e kanë vizituar mund të dëshmojnë vetë për cilësinë me të cilin u ofrohet shërbimi qytetarëve.

Përpjekja jonë me një fokusim të qartë të shërbimit ndaj qytetarit, i trajtuar sipas koncepteve moderne të shërbimit ndaj klientit ka sjellë një ndryshim real në mënyrën se si kontrollohet puna në ZRPP Tiranë dhe është një shërbim që do të shtrihet këtë vit dhe vitin që vjen në një sërë zyrash në gjithë territorin.

Kemi miratuar në vitin 2015 dokumentin e politikave të hapura i cili ka filluar të konkretizohet me të dhënat hartografike të shtetit dhe do të vijojë. Në këtë pikë gjithë bashkëpunimi me shoqërtinë civile është shumë i nevojshëm.

Po ashtu nisma e Partneritetit për Qeverisje të hapur, OGP, të cilën e kam drejtuar në bashkëpunim me shumicën e ministrive dhe institucioneve, ka shënuar një sërë hapash konkretë, të cilët u bënë publikë edhe gjatë Samitit rajonal në shtator 2015, i cili u organizua për herë të parë. Shqipëria mori vlerësime shumë të mira në Samitin botëror OGP si rast pozitiv në këtë drejtim.

Të gjithë bashkë duke punuar të në gjithë sektorët në të gjitha fushat mendoj se do të vijojmë të bëjmë hapa përpara për forcimin e besimit të ndërsjellë”.