Postuar më: 19 Maj 2015

Prezantohet eAlbania, mbi 150 shërbime online të shtetit shqiptar

Portali i shërbimeve online të shtetit shqiptar, eAlbania, me më shumë se 150 shërbime që përfshijnë rreth 30 institucione shtetërore, është prezantuar sot në një ceremoni të veçantë ku merrnin pjesë, Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako si dhe një sërë drejtuesit të institucioneve, shërbimet e të cilëve janë përfshirë në këtë portal. Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, ministrja Harito u shpreh:

“I nderuar z. Kreyministër

Të nderuar pjesëmarrës

Portali i shërbimeve online të shtetit shqiptar është një pjesë qendrore e mozaikut të përpjekjes sonë për modernizim të qeverisjes nëpërmjet teknologjisë. Si i tillë zë një vend të veçantë në Javën e Inovacionit, e cila zyrtarisht vazhdoi deri të dielën në darkë, por praktikisht ishte aq e ngjeshur sa u shtri para e pas datave zyrtare, si prova më e mirë e krijimit tashmë të një ekosistemi inovativ, ku shteti ka rolin e vet si lokomotivë, por qëllimi është të tërheqë gjithë vagonat e ekonomisë dhe të shoqërisë në shinat e modernizimit.

Kur organizuam për herë të parë javën e Inovacionit vitin e kaluar, për ata që e mbajnë mend, folëm për një portal shërbimesh publike të trashëguar, që as veten nuk kishte modernizuar, jo më të modernizonte shërbimet publike.

Ja ku jemi sot, në vetëm 1 vit, kemi jo vetëm një portal modern, por ç'është më e rëndësishme, të fokusuar krejt në një prej zotimeve të programit tonë: Shërbime moderne për publikun, shërbime online, të përqendruara në një vend, shërbime lehtësisht të përdorshme.

Jam shumë e kënaqur pra sot të tregojmë që ky zotim po bëhet realitet. Numri i shërbimeve pothuajse është 10-fishuar dhe tashmë portali i shërbimeve publike sfidën nuk e ka më me të kaluarën, por me vetveten.

Fokusi ynë ka qenë dhe mbetet në këtë fushë: cilësi, cilësi, cilësi, sepse çdo produkt inovativ pranohet gjerësisht nga qytetarët nëse garanton cilësi dhe siguri. Mbase shembulli më i mirë që na flet të gjithëve, është Iphone. Smartphonet ekzistonin edhe përpara Iphone por përdoreshin shumë pak. U desh cilësia e jashtëzakonshme e Iphone që përdorimi i Internetit të kalonte gjerësisht nga komjuterat në telefon dhe që sigurisht më pas gjithë smartphonet e tjerë të ndiqnin atë standard të ri të vendosur madje edhe ta tejkalonin.

Pra thjeshtësia e përdorimit do të krijojë ndryshimin cilësor që ne duam, sepse ende nuk kemi parë asgjë akoma. Në dy vitet që vijnë jo më pak se 200 shërbime të reja qendrore dhe të pushtetin lokal do të jenë të disponueshme online për qytetarët, duke ju lehtësuar jetën, duke ju evituar radhën në sportel për të gjithë ata që duan t’a evitojnë dhe duke luftuar kështu korrupsionin.

Sfida jonë e vërtetë, pra është që këto shërbime të përdoren gjerësisht. Për këtë po punojmë paralelisht për të përdorur asetin më të madh që çdo shqiptar ka në dorë, telefonin celular, për rritjen e aksesibilitetit nga gjithë shtresat e shoqërisë kudo qofshin tek sherbimet online në një bashkëpunim shumë të mirë midis operatorëve celularë, qeverisë dhe enteve rregullatore për të çuar Internetin në çdo dore.

Si u arrit këtu në 1 vit? Përmirësimi i shërbimit për qytetarët, shtimi i shërbimeve online ishin një prej zotimeve të programit tonë qeverisës.

Dhe nuk ka ndonjë sekret, që qeveria qysh në krye të herës e vuri në fokus real inovacionin. Për ne nuk ishte slogan i rradhës, si dikur “Shqipëria në moshën e Internetit”, ku kompjuterët nuk arrinin as nëpër shkolla, por përfundonin shpeshherë në drejtim të paditur.

Janë rezultate të prekshme të arritura me fokusim real. Këtu dua të falenderoj Kryeministrin e vendit, që mes aq e aq halleve që ka Shqipëria ka vizionin për të parë më larg sesa e nesërmja, duke e vendosur fokusin tek modernizimi nëpërmjet inovacionit, si një ndër pesë prioritete e qeverisë, ndonëse kjo gjë nuk jep rezultate menjëherë, ndonëse nuk janë të dukshme, por sjellin një transformim rrënjësor të gjithë shoqërisë.

Si e realizuam këtë ndryshim? Është e thjeshtë. Janë më shumë se trefishuar investimet dhe burimet njerëzore në këto 18 muaj. Dhe Agjensia Kombetare e Shoqërisë së Informacionit, ka bërë një punë të shkëlqyer, një koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet, duke u ndërgjegjësuar të gjithë për përmirësimin e punës së secilit nëpërmjet teknologjisë.

Me disa shembuj suksesi, si pastrimi i skemës së ndihmës ekonomike, pikërisht nga fuqizimi i këtij bashkëpunimi dhe nga kryqëzimi i informacionit me institucionet e tjera si çdo shtet modern.

Ky është prioriteti real në shërbim të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve. A është kjo gjithçka donim të arrinim? Jo sigurisht që jo. Por a është drejtimi i duhur, ai për të cilin na votuan qytetarët? PO, sigurisht dhe jo vetëm është drejtimi i duhur, por jemi duke ecur shumë shpejt.

Sfida jonë në dy vitet e ardhshme është tej modernizimit të qeverisjes, Inovacioni në të gjithë shoqërinë si mjet për zhvillim dhe punësim.

Faleminderit”