Postuar më: 14 Maj 2015

Harito: Vizioni ynë për zhvillimin e Shqipërisë inovative është shumë koherent

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka marrë pjesë në ceremoninë e prezantimit të aplikacionit Komisariati Dixhital, i organizuar në kuadër të Javës së Inovacionit. Në fjalën e saj ministrja Harito u shpreh:

 

“Është vërtet kënaqësi që jam këtu në kuadër të Javës së Inovacionit, ku prezantojmë një nga përpjekjet tona për modernizimin e shtetit, nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Përpjekja jonë për modernizim shkon sigurisht nga politikat, ligjet, masat, aksionet në terren, por teknologjia është ndoshta ajo që na bën të kapërcejmë vonesat e viteve me radhë dhe të ecim më shpejt.

Për këtë arsye kemi organizuar Javën e Inovacionit, për të treguar shërbimet publike që janë tashmë duke u modernizuar dhe, për këtë, jo vetëm që organizojmë Javën e Inovacionit për herë të dytë, por organizojmë edhe për herë të parë një panair që quhet High Tech Show, ku ju jepet mundësia të shihni gjithë shërbimet publike të modernizuara, pjesë e të cilave është edhe Komisariati digjital, por sigurisht edhe shërbime të tjera të Policisë së Shtetit, që është një pararendës në këtë përpjekje tonën. Ju ftoj ta vizitoni këtë panair, që do të jetë i hapur deri sot pasdite dhe të shikoni që ajo që ne e quajmë Shqipëria inovative, ose Smart Albania, ekziston tashmë në sektorin publik dhe në sektorin privat.

Vizioni ynë për zhvillimin e Shqipërisë inovative është shumë koherent dhe mbështetet në katër shtylla, të cilat nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën.

E para është që shteti të luajë rolin e vet si lokomotivë e modernizimit nëpërmjet shërbimeve të tij. E dyta është Broadband-i ose, po të shprehemi në gjuhën popullore, interneti me bollëk, që këto shërbime të jenë të aksesueshme. E treta është Inovacioni në arsim, nëpërmjet kurrikulave digjitale, tabletave për nxënësit (pra, gjithë përpjekja që të rrisim kapacitetet e rinisë sonë) dhe e katërta është Inovacioni në të gjithë shoqërinë, sepse shteti është tashmë një pjesë e tij, përfshirë dhe sektorin privat.

Më lejoni të paraqes shkurtimisht punën tonë në këto 18 muaj për këto katër shtylla.

Lidhur me Inovacionin në qeverisje dhe në shërbimet publike, pothuajse janë 3-fishuar investimet, janë 3-fishuar burimet në agjencitë tona të inovacionit, në dy agjenci të mëdha, dhe është krijuar një e tretë për shërbimet publike. Për herë të parë në Shqipëri, është krijuar një fond i përqendruar për inovacionin, ku tërë institucionet shtetërore, në mënyrë kompetitive, vijnë dhe aplikojnë për të modernizuar sektorët e tyre. Pra, lëvizja për të modenizuar vetë qeverisjen ka filluar dhe po ecën me hapa të shpejtë.

Shtylla e dytë, siç e përmenda pak më lart, është aksesibiliteti dhe sektori i telekomunikacionit, që mbështet këtë lëvizje. Në këtë sektor po kalohet nga ajo që ju e shihni në celularët tuaj si 3G (për pak muaj do të jemi në 4G), që është internet me bollëk në celular, sepse kjo është rruga se si në duart e të gjithëve Interneti të jetë i aksesueshëm. Aktualisht nuk kemi një infrastrukturë shumë të mirë fizike, të trashëguar. Nuk ka telefoni fikse që të na mbështesë; është më së shumti vetëm në zonat urbane, kështu që telefonia është rruga e duhur, dhe, në të njëjtën kohë, kemi mirëmenaxhuar frekuencat që përdoren për këtë gjë, duke sjellë disa dhjetëra milionë euro në buxhetin e shtetit në vetëm pak muaj, pikërisht nëpërmjet sektorit të telekomunikacioneve.

Në sektorin e arsimit, përpjekjet tona për pajisjen e nxënësve të shkollave me tableta kanë filluar; do të aplikohen në 60 shkolla, ndërkohë në të gjithë qarqet e vendit kemi angazhuar nxënësit e shkollave të mesme, duke filluar nga qarku i Kukësit, që të krijojnë Wikipedia-t e qarqeve të tyre dhe zonave të tyre të banimit.

Është një lëvizje shumë interesante, e cila mbajti gjallë Qarkun e Kukësit për disa muaj me nxënësit e grupmoshës 14-16 vjeç, që krijuan Wikipedia-n e mrekullueshme të zonës së tyre me 1300 foto të zonave turistike, të trashëgimisë kulturore, kulinarisë etj. Dhe e shkruan vetë, e bënë gjithçka vetë. Të njëjtën gjë do të bëjmë në të gjitha qarqet e tjera.

Pika e katërt, ajo që është ndoshta më e komplikuara - nxitja e inovacionit në të gjithë shoqërinë. Sektori ynë privat ka nevojë të rrisë produktivitetin, sepse gjithë shoqëria ka nevojë të modernizohet, por edhe sepse rinia ka nevojë të orientohet në këtë drejtim që sjell zhvillim dhe që sjell punësim. Ka filluar, pavarësisht nesh, do të thosha. Ka komunitete shumë aktive. Fundjavën e kaluar, në kuadrin e Javës së Inovacionit, u organizua një konferencë me 600 të rinj nga tërë rajoni, të cilët janë pjesë aktive e kësaj lëvizjeje, të cilët do të pozicionohen si liderë të gjithë pjesës tjetër të rinisë, për t’i tërhequr të gjithë në këtë lëvizje. Në mënyrë modeste, mund të themi se në këtë fazë është krijuar një HUB, ose një godinë e Inovacionit, shumë qendrore, e cila së shpejti do të riformatohet për të pritur tërë këto nisma.

Në kuadër të Javës, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet një aktivitet mbi inovacionin e sektorit bankar, duke sjellë shërbime të reja, të cilat do të lehtesojnë dhe thjeshtëzojnë aksibilitetin e një pjese të kosiderueshme të qytetarëve në shërbimet që ofrohen sot nga bankat. Ka aktivitete për ato që quhen Smart Cities në Lezhë, ku do të tregojmë shërbimet publike në nivel lokal edhe në kuadër të reformës territoriale.

Tërë këto arritje në 18 muaj janë plot, por, prapëseprapë, mendoj se janë shumë pak po ta krahasojmë me ritmin e Bashkimit Europian. BE-ja, në stadin e zhvillimit ku është në këtë fushë, e ka një ndër 4 prioritetet e veta tregun unik digjital dhe, kësisoj, në pesë vjetët e ardhshëm do të ketë nevojë për 1 milionë të punësuar të rinj. Universitetet tona duhet të përgatisin të rinjtë që të jenë pjesë e kësaj lëvizjeje nga njëra anë.

Nga ana tjetër, shoqëritë tona janë duke u zhvilluar shumë shpejt nëpërmjet atyre që quhen të dhëna masive apo Big Data dhe makinave inteligjente që janë tashmë një realitet. Po njëlloj realitet janë makinat pa shofer, njohja vokale që e kemi të gjithë në telefonat tanë (SIRI). Pra, hapi tjetër i teknologjisë është i gatshëm sot dhe shoqëria jonë dhe biznesi ynë duhet të përgatitet që këto risi t’i sjellë dhe në sektorin privat, dhe në sektorin shtetëror.

Në mbyllje, mund të them se kemi fatin të përqafojmë teknologjinë në stadin e saj të fundit dhe kjo do të na ndihmojë që të ecim më tej shumë më shpejt.

 

Ju falemnderit!”