Postuar më: 05 Qershor 2015

Fjala e Ministres Harito në konferencën e Sistemeve të Informacionit dhe Inovacionit në Teknologji

Mirëdita të gjithëve, të ftuar nga rajoni dhe vende të tjera!

Është kënaqësi që jemi sërish bashkë këtu sot. Për mua si Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike  është hera e dytë që marr pjesë në këtë konferencë të organizuar për të gjashtën herë radhazi. Të gjithë ne kemi nevojë për traditë në të gjitha fushat, për ta konsoliduar atë; sepse duke qenë vetë fusha e re, edhe tradita ka nevojë të krijohet dhe të konsolidohet.

Para  se t'ju shpreh me shifra dhe fakte se si në këto 20 muaj qeveria e ka pasur në fokus inovacionin nëpërmjet TIK,  më lejoni të paraqes një vizion pak më të përgjithshëm mbi atë se ku ishim dhe ku po shkojmë.

Pjesa më e madhe e të pranishmëve këtu e mbajnë mend periudhën e para viteve 2000; kohë kur muzika, kultura apo dija ishin ende të çmuara në vlerë monetare dhe jo aq të aksesueshme. Nuk e di se sa prej nesh këtu kishin mundësinë të kishin në shtëpitë e tyre atë që quhej Enciklopedia Universalis. Unë vetë nuk e kisha. Ishte diçka shumë e çmuar. Fizikisht ishte dhe shumë voluminoze. Në mënyrë absolute, sot, çdo njeri e ka në dorën e vet, në smartphone, në çast; e ka në Wikipedia të gjithë dijen që ekzistonte atëherë në duart e pak njerëzve. Kësisoj, të gjithë ne jemi gjendur në një interval prej 10 apo 15 vjetësh në një  epokë të re që është epoka e asaj që mund të quhet bollëku digjital.

E njëjta gjë ka ndodhur me arsimin. Sot ka mënyra për t’u diplomuar online me diploma shumë të vlefshme, që kanë vlerë në treg. Edhe vetë mësimi i anglishtes, që është ndoshta një parakusht për të qene pjesë e botës digjitale, përsëri mund të realizohet në këtë botë digjitale, sepse ekzistojnë kurse online pa fund për këtë qëllim.

Ky bollëk i dijes sot konsiderohet si një revolucion i dytë, pas atij industrial. Kështu e quajnë një varg studiuesish, ndër të cilët Erik Brynjolfson, që është dhe një nga ideatorët e këtij koncepti. Dhe pse e quajnë kështu?

Revolucioni industrial, në thelb, zëvendësoi  forcën e muskujve me forcën e makinave. Deri në revolucionin industrial punohej me forcën e muskujve njerëzorë ose të kafshëve të punës. Pas revolucionit industrial arritëm në një epokë ku u shumëfishua mundësia për të prodhuar, edhe me kosto më të ulëta, falë makinerive.

Revolucioni digjital na jep këtë prosperitet të dijes. Por, më shumë se kaq, është një revolucion social, sepse e sjell dijen në duart e të gjithëve, duke bërë që të ketë shumë pak vlerë monetare. Pra, mjafton një smartphone dhe akses në internet dhe kjo dije është në duart e të gjithëve.

Kjo situatë është diçka shumë e re në historinë e njerëzimit dhe pohoj me bindje se jemi ende në fillimet e saj. Nuk e kemi prekur ç’do të thotë që gjithë kjo masë njerëzish, që deri para 10 vjetësh nuk kishte akses në dije, papritur ka një akses të menjëhershëm.

Në këtë këndvështrim, kemi të bëjmë me një revolucion, i cili sapo ka filluar. Dy fusha të tjera që kanë lidhje me teknologjinë dhe që janë pikërisht ato që quhen “big data” (të dhënat masive) dhe makinat inteligjente. Për të dyja këto jemi sërish në një hop shumë të madh të teknologjisë së informacionit.

Për sa u përket makinave inteligjente, mund t’ia nisim që nga Siri, që e kemi në Iphone-t tanë. Duket si një lodër në fakt, por për ata që e kanë ndjekur zhvillimin e inteligjencës artificiale prej 30-40 vjetësh, e dinë që ka 30 vjet, së paku, që flitet për këtë gjë dhe që sot është realitet. Siri duket si një lodër, por në të vërtetë është një shpikje e jashtëzakonshme që njeh gjuhën njerëzore në mënyrë realisht inteligjente dhe në këtë kuptim është një hap i parë drejt një epoke të re që po ndodh sot.

Një tjetër shenjë e kësaj epoke të re është vetura pa shofer. Sot është realitet, po testohet në SHBA dhe së shpejti do të jetë e lejuar në Evropë. Pse është revolucion vetura pa shofer?

Sigurisht, sepse nuk kemi nevojë për shofer dhe kjo është e para, por më tepër, sepse ajo bën një punë që deri dje mendohej që mund ta bënte vetëm njeriu. Pra, të analizojë një sasi shumë të madhe informacionesh vizuale dhe me sensorë të llojeve të ndryshme dhe të marrë vendime të konsoliduara. Pra, ky aktivitet tërësisht njerëzor po transferohet te makina, që ngjan me një “dallëndyshe” tjetër të këtij revolucioni që po ndodh.

Një tjetër makinë inteligjente është ai që e kanë quajtur roboti Watson, i cili nuk është diçka që ka mbetur në laboratorë, por është krijuar dhe po përdoret me sukses; ka sektorë të administratës publike në Indi që përdorin këtë lloj roboti për t’i dhënë përgjigje inteligjente pyetjeve që bëjnë qytetarët, që duan një akses në shërbime. Ky robot ka arritur në disa teste të mundë njerëzit në disa lloj lojërash të caktuara.

Një hop i jashtëzakonshëm është duke ndodhur gjithashtu në çështjen e të Dhënave Masive ose BIG DATA. Për universitetet kjo do të jetë faza tjetër e zhvillimit, për t’u investuar shumë më tepër në trajtimin e informacionit, pra, në trajtimin e të dhënave përpos teknologjisë, sepse deri më sot tek Teknologjia e Informacionit kemi parë “T”-në dhe tani po shikojmë “I”-në.  Në këtë kuptim Big Data janë ato që lejojnë të kemi më shumë informacion në dispozicion.

Fjala vjen, deri para 30 vjetësh, për të gjetur se ku është një kriminel, duhet ta ndiqje, t’i vije dikë mbrapa që ta ndiqte dhe kjo përbënte një kosto shumë të lartë. Sot e gjen se ku është, sepse e lokalizon nëpërmjet telefonit; di se ku ka shkuar, se janë të dhënat e kartës së tij bankare; nëse udhëton me avion, e gjen lehtësisht se në cilën linjë fluturon, ku ka hipur, ku ka zbritur, në ç’orë etj. etj. Dhe, me të gjitha këto të dhëna të disponueshme, ekziston mundësia të kryqëzohen dhe të përdoren për qëllimet e duhura.

Kjo fushë është në fillimet e veta dhe për vendin tonë akoma më shumë. Prandaj, përpjekjet tona duhet të fokusohen së tepërmi tek investimi në trajtimin e informacionit, që është gjëja e rëndësishme që na pret përpara.

Për t’u kthyer te punët që jemi duke bërë si qeveri dhe që janë mjaft sfiduese: komunikuam pak këtu për shërbimet publike. Të gjithë e dimë se këto shërbime në sportelet e shtetit shqiptar janë ende sot një vuajtje e madhe. Sportele të vogla, sjellje jokorrekte, informacion i munguar, vonesa dhe të gjitha këto me apo pa dashje çojnë te korrupsioni.

Këtu kemi ndërmarrë një reformë shumë të madhe. 1400 shërbime të shtetit shqiptar në sportel janë inventarizuar. Pra, për herë të parë kemi një inventar të këtyre 1400 shërbimeve shumë të qartë, kush bën  dhe çfarë bën. Dhe kemi një përpjekje të tërë për ta kthyer shtetin drejt shërbimit ndaj qytetarit. Sepse kemi një tjetër situatë në kufijtë e anekdotës, kur në legjislacionin shqiptar nuk ka asgjë që definon shërbimin. Legjislacioni shqiptar është i kthyer drejt vetvetes.

Por si i ndajmë përgjegjësitë midis institucioneve?

Shumë mirë, duhen ndarë patjetër. Sepse që të funksionojë shteti duhen ndarë përgjegjësitë, por në një moment duhet të kujtohemi që e gjitha kjo ndër të tjera duhet të ketë edhe funksionin që t’u shërbejë qytetarëve. Ky nocion duhet përkufizuar edhe nga ana ligjore. Kjo është një qasje që duhet të ndryshojë edhe në legjislacionin tonë.

Që kjo reformë të funksionojë e që këto shërbime të jenë efikase, ka dy aspekte: aspekti i parë i kësaj reforme madhore është që gjithë shërbimet të ofrohen në mënyrë të integruar. Pra, duke mos shkuar në 15 zyra për të marrë nga një certifikatë në secilën prej tyre, dhe në secilën prej tyre të rrish në radhë e në secilën eventualisht të kesh nevojë të japësh ryshfet. Ne duam që të kemi vetëm një sportel të integruar që ka detyrë vetëm të lëvrojë shërbimin dhe trajtimin e shërbimeve e bëjnë zyrat mbrapa.

Dhe aspekti i dytë i reformës, lidhet me faktin se e gjitha kjo nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase nëse nuk ka sisteme të fuqishme të digjitalizuara. Sistemet po digjitalizohen në mënyrë shumë masive. Është shumë e vështirë të digjitalizosh gjithë shtetin në një kohë të shkurtër, por ritmet me të cilat po ecim tregojnë se kjo gjë është e mundur dhe më lejoni t’ju tregoj këtu një histori suksesi.

Në fushën e digjitalizimit matja e rezultatit është shumë e thjeshtë. Suksesi  i sistemit është, sa përdorues përdorin sistemin? Sa vetave u shërben ai?

Shembull konkret është pikërisht sistemi i punësimit në administratën publike; një sistem unik me shumë pak kosto, realizuar për shumë pak kohë, rreth 6 muaj, të cilin çdo njeri që kërkon punë në administratën publike e njeh. Është një website i vetëm, e vetmja derë hyrëse për t’u punësuar në shërbimin civil. Ky sistem ka mesatarisht 300 klikime në orë. Është një sistem jashtëzakonisht i kërkuar dhe që nga shtatori 2014 e deri sot që flasim në të kanë aplikuar më shumë se 20 mijë vetë. Pra, kanë aplikuar, kanë hedhur dokumentet, kanë marrë përgjigjet, i gjithë sistemi ka qenë i automatizuar.

Të ngresh sisteme të tilla sigurisht që është e mundimshme, por është më e thjeshtë sot se ç ‘ishte dje dhe është e mundshme të bëhen për një kohë relativisht të shkurtër. Në këtë kuptim, Qeveria i ka dhënë një fokus shumë të qartë digjitalizimit në përgjithësi dhe këtu mund të flas me shifra shumë konkrete.

Në 1 vit e gjysmë, praktikisht kemi trefishuar fondet e investimit në teknologjinë e informacionit. Por nuk mjafton t’i shumëfishosh fondet. Duhet përmirësuar efikasiteti i përdorimit të tyre dhe për këtë arsye mënyra se si e kemi organizuar është që këto fonde janë përqendruar në një fond kompetitiv, ku institucionet sjellin projektet dhe janë në konkurrencë me njëra – tjetrën. Pra, ai që ka projektin më të mirë, më efikas, më të justifikuar përzgjidhet, të tjerët nuk përzgjidhen. Kjo është mënyra se si e kemi organizuar që ky fond i trefishuar edhe të përdoret më mirë. Ky është elementi i parë.

Përveç kësaj, kemi më shumë se trefishuar burimet njerëzore në gjithë agjencitë e inovacionit, siç janë AKSHI dhe ASIG-u, që është Agjencia e Informacionit Gjeohapësinor dhe falë këtij trefishimi të burimeve njerëzore dhe të investimeve kemi rezultate gjithashtu të prekshme. Është portali unik i shërbimeve qeveritare me më shumë se 100 shërbime online sot dhe kemi krijimin e një portali unik  gjithashtu të informacionit gjeohapësinor, që ndoshta është më pak i prekshëm për publikun e gjerë, por që u shërben mbi 10 institucioneve të shtetit për të marrë një referencë unike hartash. Ndoshta mund të duket si diçka teknike, por në të vërtetë ishte një bazë e vazhdueshme për korrupsion në të gjitha këto agjenci, sepse secila prej tyre punonte si shtet brenda shtetit me hartat e veta. Ndërsa sot ka një referencë unike dhe të dhëna transparente, të cilat mund t’i aksesojë çdo qytetar.

Një tjetër shtyllë shumë e rëndësishme në gjithë qasjen tonë për digjitalizimin e shtetit është rritja e aksesibilitetit të qytetarëve. Sot mbulimi me internet fiks është i mjaftueshëm në zonën perëndimore të Shqipërisë, por pjesa tjetër e vendit është më pak e mbuluar me internet fiks. Në zonat e tjera Interneti ofrohet nga operatorët celularë. Edhe këtu me një qasje të integruar dhe shumë komplekse në marrëdhënien midis gjithë digjitalizimit të mediave dhe të Telekomit kemi arritur të japim frekuencat e para 4G, për operatorët e Telekomit, të cilat do të fillojnë të operojnë që në muajin shtator. Kësisoj, do të ketë internet të bollshëm në duart e gjithsecilit që ka një smartphone.

Pika e fundit e rëndësishme për ta çuar më tej këtë qasje, ku qeveria është lokomotivë për të modernizuar vetveten dhe për t’u dhënë akses qytetarëve, është roli ynë nxitës, që të rinjtë që ju edukoni në universitetet tuaja të shkojnë drejt kësaj fushe ku ka zhvillim, ka vende pune. Dhe, për të nxitur këtë ekosistem, është krijuar ajo që quhet Godina e Inovacionit, është ish-INIMA, e cila është kthyer tashmë në identitet. Aty të gjitha agjencitë e inovacionit janë përmbledhur në një godinë dhe përveç kësaj është lënë një hapësirë e konsiderueshme për start up-e, për të rinjtë, për komunitetet, të cilat në konstatojmë që janë shumë aktive.

Kemi një sërë komunitetesh, si Open Labs, Etik, Talent Garden; së fundi ka një inkubator në Durrës. Lëvizja po shtrihet edhe më gjerë në territor, jo vetëm në Tiranë, për të cilët duam të krijojmë një pikë fokale, ku të gjitha këto komunitete të kenë një vend ku të nxiten, të ndihmohen dhe të përforcohen në iniciativat e tyre. Dhe e gjitha kjo në një kuadër rajonal, sepse, siç e tha me të drejtë homologu im në Kosovë në një takim që kisha me të para pak javësh, në këtë pikë, nëse duam të ndryshojmë imazhin e secilit nga vendet tona, pra, nga vende me një ekonomi relativisht të prapambetur, drejt një ekonomie të orientuar, drejt shoqërisë së dijes, kemi vetëm një mënyrë, ta bëjmë këtë të gjithë bashkë.

Ju falënderoj të gjithëve dhe ju uroj shumë suksese gjatë kësaj konference!