Postuar më: 10 Shtator 2015

Dinamizmi ballkanik shfaqet në formën e vet më të mirë kur përqafon një iniciativë si OGP

Konferenca rajonale “Dialogu për Partneritet për Qeverisje të Hapur në Ballkanin perëndimor 2015”, e inicuar nga Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka nisur punimet e saj sot paradite me sesionin hapës. Në këtë konferencë të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership, ose shkurt OGP), e cila është e para që zhvillohet në rajonin e Ballkanit perëndimor marrin pjesë Përfaqësues të nivelit të lartë nga qeveritë dhe parlamentet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të ambasadave të BE dhe SHBA në Tiranë, përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile që punojnë në PQH nga të gjitha vendet e rajonit, ekipet e koordinimit të OGP nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë punojnë në zbatimin e OGP në nivel kombëtar, etj.

Duke marrë fjalën në sesionin hapës të konferencës Ministrja Harito u shpreh:

“Kjo është një nismë që ndërmerret për herë të parë në rajon dhe për këtë do të doja të theksoja edhe një herë që dinamizmi ballkanik, në këtë rast shfaqet në formën e vet më të mirë kur përqafon iniciativën për Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Kjo është një nismë, e cila ka filluar në vitin 2011 nga Presidenti Obama dhe ka pasur në fillimet e saj 8 vende nismëtare, ndërsa sot janë 65 të tilla.

Shqipëria ka qenë pjesëtare e kësaj nisme, e cila në thelbin e saj synon që nëpërmjet reformave të rrisë nivelin e transparencës, të përgjegjësisë dhe të aktivizimit qytetar. Por unë jam njeri konkret dhe dua ta bëj diskutimin pak më konkret. Për këtë do t’u jap dy shembuj. Bota dixhitale e bën transparencën në të vërtetë një domosdoshmëri që nuk ke si i shpëton. Për të na e kujtuar mjafton vetëm një shifër: Në 24 orë në botën dixhitale qarkullojnë 45 miliardë e-maile. Të gjithë e kuptojmë që me transferime, ritransferime dhe ripërsëritje të shumta, trasparenca është aty, duam apo s’duam ne.

Por nga ana tjetër, ana pozitive është zhvillimi ekonomik që transparenca sjell. Për ta shpjeguar këtë do tju jap shembullin e GPS. Sot të gjithë neve kur ngasim një makinë na duket normale të mos dijmë rrugët se ku shkojmë, sepse kemi GPS, por ndoshta jo të gjithë e dijnë se kjo vjen për shkak të atyre që quhen të dhëna të hapura. Të dhënat që përdor GPS ishin të dhëna gjeolokalizimi të cilat i përdorte vetëm ushtria amerikane dhe ishin të dhëna konfidenciale deri në një moment të caktuar, deri kur u mor iniciativa që këto të dhëna të mund të vendoseshin në dispozicion të publikut. Çfarë bëri kjo? Kjo solli inovacion dhe solli zhvillim ekonomik. Pra të dhënat e hapura janë diçka shumë konkrete që mund të na sjellin zhvillim ekonomik dhe zhvillim social.

Le të vijmë te kjo konferencë, e cila ka disa karakteristika. Karakteristika e saj e parë dhe më e rëndësishmja është ajo që unë pak e përmenda. Zhvillimi rajonal dhe fakti që zhvillohet në rajonin tonë, që është një nga rajonet që ka njohur ndoshta më ashpër se çdo zonë tjetër përballjen me antipodet e vlerave të OGP-së, me izolimin, arbitraritetin dhe mungesën e transparencës në qeverisje. Pikërisht kjo histori e jona e përbashkët ka krijuar një traditë, e cila e do meritokracinë dhe transparencën, por e do deri te kufiri i shtëpisë së secilit. Pra secili e do transparencën për të tjerët, por jo për vete. Dhe pikërisht fakti që jemi mbledhur këtu sot tregon që kjo gjë është duke ndryshuar. Sigurisht jo aq shpejt sa do të donim, sigurisht gjithmonë shumë gjëra mbeten për t’u bërë, por fakti që ne jemi të gjithë bashkë këtu, nga rajoni është për mua një lajm shumë i mirë.

Elementi i dytë shumë i rëndësishëm është përqafimi i OGP gjithmonë e më shumë nga qeveritë. Në fillim shoqëria civile ka qenë ajo që nxiste vlerat e OGP, sot gjithmonë e më shumë qeveritë bëhën promotore dhe iniciatorë të vlerave të OGP dhe të transparencës. Dhe këtu do më lejoni të jap disa shembuj, për të cilët do të kemi rast të flasim gjatë këtyre dy ditëve, por disa shembuj shumë të mirë, shumë të spikatur të qeverisë sonë.

Një prej tyre është portali antikorrupsion, për të cilin do të keni rastin të dëgjoni më shumë në vijim të konferencës, i cili ka funksionuar shumë mirë duke u dhënë mundësinë qytetarëve që të denoncojnë shumë raste korrupsioni. Një tjetër element shumë i rëndësishëm është ai që ne e quajmë Komisariati dixhital, që nëse nuk e keni në telefonat tuaj, ju ftoj t’a shkarkoni dhe t’a përdorni, sepse është gjithashtu një aplikacion shumë i këndshëm dhe shumë shumë i thjeshtë për t’u përdorur.

Një tjetër rast që unë e kam shumë për zemër, është portali i Administratës Publike, i cili bashkë me ndryshimet ligjore përkatëse ka sjellë në të vërtetë një ndryshim mentaliteti për rekrutimet në shërbimin civil. Sepse në këtë rast nuk është çështja vetëm te teknologjia, çështja është se duke krijuar një portë të vetme unike për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në Shërbimin Civil kemi krijuar të gjitha mundësitë që njerëzit të informohen, të jenë të barabartë në trajtimin e tyre, të kenë mundësinë të njëjta për t’u ankuar dhe prova më e mirë për këtë është që mbi 20 mijë persona vetëm gjatë vitit të fundit kanë përdorur këtë portal unik, i cili sigurisht si të gjthë elementët e teknologjisë ka nevojë për përmirësime që të bëhet gjithmonë e më i përdorshëm nga qytetarët.

Angazhimi i qeverive dhe i qeverisë sonë veçanërisht në OGP është jashtëzakonisht i rëndësishëm në një bashkëpunim sa më të  thellë, sa më të fortë me shoqërinë civile. Unë dëshiroj të bëj thirrje që shoqëria civile të na ndiohmojë të progresojmë, sepse ky është roli i saj. Të na kontrollojë, të na kritikojë, të na thotë se si mund të përmirësohemi sepse për këtë është shoqëria civile dhe për këtë bashkëpunimi jonë me të është i domosdoshëm. Në planin tonë kombëtar të angazhimeve që kemi marrë në kuadër të OGP-së një pjesë shumë e madhe e iniciativave janë angazhime të përbashkëta të qeverisë dhe të shoqërisë civile.

Rëndësia e një konference rajonale bëhet edhe më e spikatur në vazhdën e procesit të Berlinit, me konferencën e Berlinit mes vendeve të rajonit përpara 1 viti dhe me konferencën e Vjenës përpara 1 muaji. Ky është një nga elementët e bashkëpunimit rajonal, që mund të bëjë një ndryshim real për rajonin tonë dhe shpresoj që këto dy ditë të shërbejnë për të nxitur të gjithë partneritetin në Ballkanin perëndimor në kuadër të kësaj nisme.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse tju falenderoj dhe t’i uroj punime të mbara konferencës”.