Postuar më: 20 Nëntor 2015

Çdo nismë ligjore e Qeverisë do të jetë në përputhje me standartet ndërkombëtare

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj.Milena Harito ka marrë pjesë sot në Forumin për Zhvillimin e Medias të organizuar nga prezenca e OSBE në Tiranë. Duke marrë fjalën në këtë forum, ministrja Harito u shpreh:

“Në fjalën e tij pararendëse z.Rauning përmendi një sërë çështjesh të rëndësishme të lidhura me zhvillimin e medias në Shqipëri të cilat shpjegojnë përse në një hark kohor prej dy tre vitesh jemi mbledhur këtu shumë herë për të diskutuar për median, për lirinë e saj, për dixhitalizimin, për reformimin e RTSH, për zhvillime të ndryshme në nivel kombëtar por dhe ndërkombëtar.

Media dhe liria e saj janë shumë të rëndësishme për një vend si i yni, që është ende në një proces të konsolidimit të demokracisë. Dua ta filloj me Progres Raportin, që është bibla jonë në të gjitha fushat. Raporti i BE-së për këtë vit identifikon se ka pasur progres në drejtim të lirisë së shprehjes dhe konstaton gjithashtu se transparenca në drejtim të pronësisë së medias është përmirësuar.

Progres raporti ngre edhe një sërë shqetësimesh mbi kontratat e punës së gazetarëve, mospagesat e rregullta, mos respektimin nga mediat i të dhënave personale, që është gjithashtu një çështje e rëndësishme e cila theksohet edhe më tepër me mediat dixhitale. Të gjitha këto çështje që do të diskutohen sot gjerësisht në sesionet e kësaj konference.

Unë dëshiroj të fokusohem tek kapitulli 10, i cili përfshin shoqërinë e informacionit dhe mediat audiovizive, ku Progres Raporti konstaton se Shqipëria është mesatarisht e pregatitur dhe qartëson detyrat tona në vijim, që janë kryesisht të lidhura me pavarësinë e AMA-s dhe kalimin në transmetimet dixhitale.

Jo më kot këto dy fusha janë së bashku në të njëjtin kapitull, sepse mediat audiovizive por dhe ato të shkruara prej disa vitesh kanë filluar një transformim rrënjësor, i cili filloi vërtet si transformim teknologjik, por në të vërtetë sot prek absolutisht të gjitha fushat e medias.

Ky transformim fillon me prodhimin e përmbajtjes, e cila ka ndryshuar sepse mesazhet duhet të jenë shumë më të shpejtë, shumë më të shkurtër, në mënyrën se si transmetohen, në formën e mesazhit, ose atij që i themi dizajn, i cili duhet të përshtatet me një sërë pajisjesh.

Kanë ndryshuar në mënyrë shumë të qënësishme burimet e ndryshme të financimit, të cilat tashmë nuk janë vetëm lokale, por janë edhe ndërkombëtare. Reklama sot mund të jetë shumë më tepër e orientuar drejtpërdrejt tek shijet e secilit klient, në bazë të të dhënave që mblidhen online, pra hapësira e financimit është zgjeruar, por njëkohësisht është bërë edhe më kompetitive. 
Shpëndarja e përmbajtjes gjithashtu ka ndryshuar në mënyrë esenciale. Le të marrim një shembull konkret. Fëmijët adoleshentë sot nuk shikojnë më televizion klasik, ashtu siç e shikonim ne, por shikojnë seritë që duan, në momentin që duan. Pra përzgjedhin programin dhe kohën kur duan ta shikojnë atë program. Shumë gjëra ne i shikojmë dhe i rishikojmë në YouTube. Pra në të gjitha aspektet media ka ndryshuar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo.

Në të gjitha këto fazash transformimesh të mëdha, jo të gjithë mbijetojnë, por njëkohësisht shfaqen oportunitete të reja për aktorët e fushës që dijnë ti përqafojnë ato dhe sfida të reja për të gjithë ne bashke, si për aktorët e fushës ashtu dhe për rregullatorët. Për arsye të këtyre sfidave tona, por edhe të sfidave globale ka shumë punë për të bërë për zhvillimin e medias dhe kërkohet një koordinim dhe bashkërendim me të gjithë aktorët që nga Kuvendi, AMA, RTSH, qeveria dhe vetë media.

Le të ndalemi shkurtimisht te reformimi i RTSH. Sot RTSH ka një Këshill Drejtues, të zgjedhur nga Kuvendi. Detyrat e këtij Këshilli janë të përcaktuara në ligj. Detyra e Këshillit është të emërojë Drejtorin e Përgjithshëm, që është një çështje imediate. Si përfaqësuese e Qevesisë unë inkurajoj këtë organ drejtues të RTSH, i cili i raporton Kuvendit, që të përshpejtojë procesin dhe të përmbushë detyrat e veta ligjore.

Transmetiesi publik ka një rol të veçantë, që lidhet me disa drejtime:
- Të qënit i aksesueshëm për çdo qytetar; 
- Ofrimin e një larmie programesh për audienca të ndryshme;
- Të jetë i pavarur në formimin e ideve dhe shprehjen e tyre
- Gjithashtu ka dhe një kërkesë të shtuar në drejtim të televizionit publik. që në kushtet e një tregu mediatik konkurues është dallueshmëria. Pra RTSH duhet të ofrojë shërbime që e bëjnë atë të dallueshëm nga ofruesit e tjerë mediatik.

Kalimi nga transmetimet analoge në dixhitale, që është edhe një nga gjërat që përmendet në Progres Raport, përveçse është një detyrim ndërkombëtar është edhe një oportunitet, sepse krijon më tepër kanale, rrit larminë e programeve, cilësinë e transmetimit, por sigurisht tek ne, si dhe në çdo vend tjetër ka qenë një reformë shumë e vështirë, sepse kërkon të ndërtohet konsensus midis aktorëve të tregut dhe rregullatorëve.

Siç është tashmë e njohur në vitin 2013 ka filluar ky proces i kalimit në transmetime dixhitale për transmetuesin publik. Ishte inicuar nga qeveria e mëparshme dhe ishte bllokuar në procese gjyqësore, çka bëri që procesi të merrte shumë vonesë, por sot kjo çështje është zgjidhur dhe disa hapa të rëndësishëm tashmë janë tejkaluar.

Kontrata për kalimin në transmetimet dixhitale të RTSH është nënshkruar që në mars të vitit 2015, ka hyrë në fuqi në muajin korrik pas aprovimit në parlament dhe ka filluar tashmë puna për ndërtimin e rrjeteve. Shpresojmë që brenda 6-7 muajve një pjesë e popullsisë, e krahasueshme me atë çka mbulon sot RTSH do të jetë e mbuluar me transmetim dixhital.

Ndërkohë është miratuar nga Këshilli i Ministrave një vendim për dekoderat që do të tregëtohen. Këto dekodera duhet të jenë të brezit të fundit, në mënyrë që t'u ofrojnë qytetarëve mundësinë të përdorin teknologjinë e fundit dhe gjithashtu duhet të ofrojnë akses të plotë, për atë që quhet aksesi universal. Nga ana tjetër AMA ka nisur procesin e licencimit të rrjeteve numerike kombëtare dhe ky proces duhet të shkojë deri në fund.

Me qëllim përfundimin të kalimit në transmetime dixhitale në Republikën e Shqipërisë, në rolin e drejtuesit të Komitetit ndërinstitucional për zbatimin e Strategjisë së kalimit në transmetime numerike kam kërkuar në vijimësi angazhimin maksimal të të gjithë aktorëve. Qeveria vetë është shumë e angazhuar. Pesë ministra marrin pjesë në këtë komitet bashkë me drejtuesit e enteve rregullatore që janë AMA, AKEP, Autoriteti i Konkurrencës dhe sigurisht edhe RTSH.

Përfundimi i këtij procesi do të mundësojë edhe lirimin e frekuencave, të cilat janë bazë për zhvillimin e rrjeteve të fuqishme të internetit 4G dhe më pas 5G. Vetëm për kuriozitetin tuaj dua t’u jap një shifër. Në Francë sapo është mbyllur procesi i shitjes së frekuencave 5G dhe shteti francez ka marrë nga kjo shitje gati 2.7 miliardë Euro, çka tregon se vlera e këtyre frekuencave peshohet me flori në botën e sotme, sepse është baza e zhvillimit ekonomik për gjithë vitet që vijnë.

Këtu mund të them vetëm pak fjalë për ato që janë rrjetet 5G, që do të vijnë pas pak vitesh, sepse po vjen një ndryshim esencial krahasuar me çfarë njohim sot. Do të kalojmë në një fazë totalisht të re të zhvillimit industrial dhe ekonomik sepse gjithë objektet do të jenë të ndërlidhura midis tyre dhe kjo do të bëjë që rrjetet e furnizimit me mallra, rrjetet energjitike, rrjetet e shpërndarjes së ujërave do të riorganizohen totalisht në mënyrë shumë efikase, do të përdoren më mirë, por sigurisht e gjitha kjo do të kërkojë një transformim shumë të madh të të gjithë aktorëve të tregut.

Dhe në fund, por sigurisht jo për nga rëndësia, disa fjalë për lirinë e medias, që është një nga themelet e një shoqërie demokratike. Legjislacioni shqiptar për median ka të trupëzuar parimet ndërkombëtare për garantimin e lirisë së shprehjes dhe medias.

Por sigurisht po kaq i rëndësishëm është zbatimi konkret në praktike i rregullimit ligjor dhe jetësimi i garancive të dhëna me ligj. Në këtë proces një rol të rëndësishëm ka vete media dhe gazetarët profesioniste.

Si ministër që përgjigjem për shoqërinë e informacionit dhe medias në procesin e integrimit europian, ju garantoj se çdo nismë ligjore nga ana jonë që mund të lidhet me rregullimin e medias do të jetë në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare duke bërë kujdes për të qenë e balancuar dhe proporcionale që të mos rrezikojë, apo cënojë lirinë e medias dhe shprehjes.

Me këtë rast ju informoj se jemi në proces të rishikimit të ligjit që ka transpozuar direktivën e BE-së për atë që quhet Tregëtia Elektronike por që përfshin edhe shërbimet e shoqërisë së informacionit dhe median online duke synuar rregullime më të qarta sipas standarteve të BE-së, për disa pika që kanë evoluuar në këto vite, që kurse është bërë adaptimi i kësaj direktive.

Mirëkoordinimi i të gjitha hallkave, institucioneve, respektimi i standardeve ndërkombëtare, zbatimi i duhur në praktikë i garancive të dhëna në kushtetutë për lirinë e shprehjes dhe medias, të mbështetura nga një media dhe gazetarë profesioniste dhe të pavarur janë garanci për zhvillimin e nje shoqërie më të mirë e demokratike me media të lirë e të pavarur”.