Postuar më: 10 Korrik 2015

Binjakëzimi me përvojat europiane, mbështetje për të konsoliduar reformën në Administratë

Ministrja e Shtetit për administratën Publike Milena Harito duke marrë fjalën në ceremoninë e prezantimit të projektit të BE për binjakëzimin e Departamentit të Administratës Publike me përvojat më të mira franceze dhe italiane ka bërë një përmbledhje të ecurisë së deritanishme të reformave të ndërmarra në administratën publike, por është ndalur në mënyrë të veçantë në hapat e tjerë që do të hidhen në këtë drejtim. Sipas saj një prej hapave të parë që do të ndërmarret do të jetë ai i vlerësimit tërësisht objektiv dhe të sekretuar të punonjësve civilë që janë tashmë pjesë e administratës. Vlerësimi do të realizohet nëpërmjet certifikimeve  ndërkombëtare në mënyrë që i gjithë sistemi të ketë kritere të njëjta. Në fjalën e saj Ministrja Harito tha:

“Mirëmëngjes të gjithëve. Faleminderit që keni ardhur këtu, të nderuar përfaqësues të delegacionit Europian, të trupit diplomatik, partnerë në këtë binjakëzim për çështjet e Shërbimit Civil.

Është kënaqësi për mua të hap këtë takim të një rëndësie të veçantë, për një arsye të thjeshtë : Administrata Publike dhe reformimi i saj është prioritet i Qeverisë Shqiptare, por më tej se kaq është një prioritet për të gjithë vendet që njihen si vendet e zgjerimit, pra vendet që aspirojnë të jenë anëtarë të Bashkimit Europian.

Dua të kujtoj këtu që Komisioneri i Zgjerimit Hahn në momentin që mori detyrën e tij organizoi takimin e parë me ministrat e administratës publike të vendeve të zgjerimit, për të vënë theksin në rëndësinë shumë të madhe që ka administrata publike, për qëndrueshmërinë e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian dhe  për reformat e mëdha për të cilat kanë nevojë të gjitha vendet tona në rajon.

Arsyeja është se pa një administratë publike të qëndrueshme, të gjithë e dijmë që vullneti politik nuk është i mjaftueshëm. Vullneti politik është ai që i shtyn gjërat përpara, por administrata publike është ajo që i bën gjërat të rezistojnë në kohë. Dhe ndoshta një pjesë e problemeve të rajonit dhe problemeve të aktualitetit që shohim edhe tek fqinjët tanë vijnë edhe nga fakti që administratat tona nuk janë aq të konsoliduara sa do të duhet të ishin.

Për këtë arsye në kemi marrë një sërë hapash shumë të rëndësishme, në radhë të parë në reformën e Shërbimit Civil. Shërbimi Civil në Shqipëri deri në vitin 2013 përbëhej nga rreth 3 mijë vetë, ndër 90 mijë që ka administrata publike, për çka i përkon administratës qendrore dhe një pjesë tjetër në pushtetin vendor, i cili administrohet në mënyrë të pavarur.

Me reformën që ne filluam t’a implementojmë që në fillim të vitit 2014, numri i atyre që tashmë janë nëpunës civilë në administratën shqiptare qendrore dhe lokale, arrin në 16 mijë. Integrimi i këtyre punonjësve në shërbimin civil duket si si një shifër e thjeshtë, por në të vërtetë të integrosh me kushte të caktuara, me një kuadër të qartë ligjor, një numër kaq të madh njërezish në Shërbimin Civil është një reformë shumë e rëndësishme dhe shumë komplekse në të cilën Departamenti i Administratës Publike ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Realisht të jashtëzakonshme.

Elementi i dytë shumë i rëndësishëm i reformës së Shërbimit Civil është pjesa e rekrutimeve, për të cilën kemi pasur rast të flasim disa herë. Kemi ndërtuar një mekanizëm rekrutimi, i cili tashmë është i gjithpranuar, nuk lejon më vend për abuzime, siç ndodhte më parë. Edhe më parë kishim një Shërbim Civil, por sistemi i rekrutimit ishte i tillë që u jepte mundësinë drejtuesve të institucioneve të përzgjidhin ndërmjet tre kandidaturave dhe subjektiviteti në rastin më të mirë, por shpesh herë politizimi apo arsye të tjera prevalonin dhe hapësirat për abuzim apo korrupsion ishin shumë të mëdha.

Çfarë ka ndodhur me mekanizmin që kemi vendosur. E para procedurat janë të gjitha transparente dhe online, pra nuk ka më pirgje letrash që humbasin zyrave. E vetmja mënyrë aplikimi është në një portal unik online dhe përftoj nga rasti ta veçoj këtë si një histori suksesi, sepse është sot një ndër portalet më të klikuar në Shqipëri. Ka rreth 300 klikime në orë në periudhat e ngarkuara,  çka është edhe një tregues i qartë i besimin të publikut te kjo procedurë.

Së dyti, sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë, që tanimë kandidatët mbi bazën e renditjes së tyre në konkurrim kanë mundësinë të zgjedhin se në cilin insitucion do të punojnë, duke shmangur në këtë mënyrë çdo mundësi që drejtuesit e institucioneve të ndërhyjnë në përzgjedhjen e kandidatëve dhe më besoni ka qenë një reformë shumë e vështirë, sepse është një ndryshim mentaliteti.

Si të gjitha reformat që kërkojnë një ndryshim mentaliteti është një reformë, e cila ka hasur shumë rezistencë brenda institucioneve, rezistencë e shprehur në forma të ndryshme, të cilën e kemi përballuar pa bërë asnjë lloj lëshimi apo kompromisi. Gjykoj që tashmë që jemi thuajse një vit pas fillimit të këtyre procedurave ndryshimi i madh është bërë. Të gjithë e kanë kuptuar dhe pranuar që në shërbimin civil mund të futesh vetëm me një procedurë transparente, të sekretuar, ku edhe intervistat e kandidatëve janë të videoregjistruara, në mënyrë që të evitohet çdo mundësi abuzimi dhe të verifikohen pretendimet e  kandidatëve. Kjo gjë na mundëson të themi që ky hap i parë i reformës ka qenë i suksesshëm.

Binjakëzimi me përvojat europiane do të na mbështesë më tej për ta konsoliduar këtë reformë, sepse deri tani është shprehur qartësisht vullneti politik nga njëra anë dhe puna implementuese e Departamentit të Administratës Publike. Sigurisht, që e gjitha kjo të jetë e qëndrueshme në kohë, nevojiten mekanizma të konsoliduar. Nëpërmjet këtij binjakëzimi ne po marrim eksperiencën më të mirë europiane, për ta bërë pjesë të ndërtimit të një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm.

Por Reformimi i administratës përfshin edhe shumë aspekte të tjera. Ka të bëjë me cilësinë e legjislacionit, ka të bëjë me mirëmenaxhimin financiar, ka të bëjë me reformën e shërbimeve publike.

Një prej hapave të parë që do të ndërmarrim do të jetë ai i vlerësimit tërësisht objektiv dhe të sekretuar të punonjësve civilë që janë tashmë pjesë e administratës. Edhe kjo do të bëhet nëpërmjet certifikimit ndërkombëtar në mënyrë që i gjithë sistemi të ketë kritere të njëjta. Ashtu siç ngritëm nivelin e kritereve hyrëse, ashtu do të ngremë edhe nivelin e kontrollit të punës së personave që punojnë në administratë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç mirëmenaxhimit në këtë situatë.

Në qoftë se punonjësit nuk kanë detyra të qarta, një plan veprimi të qartë për të arritur detyrat që ju ngarkohen dhe gjithashtu trajnimet përkatëse është e pamundur që administrata të funksionojë në mënyrë të plotë, korrekte dhe të jetë ajo që duhet të jetë në fakt, të jetë sistemi i qarkullimit të gjakut për ekonominë shqiptare.

Të gjithë e dijmë që një pjesë e pengesave që mund t’i shkaktohen ekonomisë dhe biznesit vijnë nga punonjës të administratës  publike, për shkak të paaftësisë herë pas here, për shkak të mosdëshirës për punë, për shkak të korrupsionit në rastin më të keq. Të gjitha këto gjëra kërkojnë një menaxhim të mirë, menaxhim, i cili standartizohet  pikërisht nga këto rregulla, të cilat vendosen nga Departamenti i Administratës Publike dhe implementohen prej tij.

Dhe për ta mbyllur, përfitoj këtu për të thënë disa fjalë për atë që ne e quajmë reforma e Shërbimeve Publike. Edhe ajo është pjesë e kësaj reforme të administratës. Jemi të ndërgjegjshëm se shërbimet publike që ofrohen sot në dyert e shtetit nuk janë në cilësinë e duhur. Qytetarëve u duhet shpesh here të sorollaten nga një derë në tjetrën. Janë të paqartë për mënyrën se si duhet të marrin shërbimin dhe për këtë arsye në bashkëpunim me partnerët e Bashkimit Europian, por edhe me Bankën Botërore kemi filluar prej gati 1 viti një reformë të madhe të shërbimeve publike. Të gjithë shërbimet e shtetit do të ofrohen gradualisht në mënyrë të integruar, në qendra të përbashkëta. Detyrimi do të kalojë nga qytetari, i cili aktualisht ndihet sikur kërkon një favor kur merr shërbimin publik,  në anën e shetit. Pra shteti do të ketë detyrimin që të ofrojë kujdes ndaj klientit ashtu siç ofrojnë operatorët e mëdhenj privatë.

Ky është thelbi i reformës së shërbimeve. Ajo përbëhet nga shumë elementë, që shkojnë nga dixhitalizimi masiv i sistemeve të shtetit, në përqëndrimin në godina unike të një sërë shërbimesh, në rithjeshtimin e proceseve të shërbimeve që është gjithashtu pjesë e lehtësimit të jetës për qytetarët. Të gjitha këto janë të mirëpërcaktuara, të detajuara në plane veprimi dhe sigurisht edhe këtu do të kemi nevojë për mbështetjen e këtij binjakëzimi me një sërë aktesh legjislative rregulluese dhe konkretisht me mënyrën se si e gjithë kjo reformë mund të jetësohet dita – ditës.

Është një reformë shumë ambicioze, sepse prek mbi 20 institucione të shtetit që ofrojnë shërbime direkte për publikun. Por ashtu siç realizuam pjesën e parë të reformës në Shërbimin Civil edhe këtë pjesë do ta çojmë deri në fund me sukses, jam e bindur me mbështettjen e partnerëve dhe me vullnetin tonë për ta çuar përpara”.