Postuar më: 10 Prill 2015

Njoftim mbi rinovimin e licensës së sipërmarrësit të komunikimeve elektronike Albanian Mobile Communications sh.a

Tiranë, Prill 2015 -- Njoftim mbi rinovimin e licensës së sipërmarrësit të komunikimeve elektronike Albanian Mobile Communications sh.a

Në vijim të kërkesave për informacion mbi procedurën e rinovimit të autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të dhëna me konkurrim dhe më specifikisht mbi procedurën e rinovimit të autorizimit individual të sipërmarrësit të komunikimeve elektronike AMC, ju informojmë si më poshtë:

Procedura e rinovimit të Autorizimeve Individuale për përdorimin e frekuencave është një procedurë ligjore e parashikuar në nenin 73 të ligjit nr. 9918 datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Bazuar në nenin 73, pika 3 e ligjit nr.9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në të cilin parashikohet se në rastin e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të dhëna me konkurrim, rregullat dhe procedurat e rinovimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, është miratuar Vendimi Nr. 496, date 22.7.2014 “Për miratimin e rregullave e të procedurave të rinovimit të autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të dhëna me konkurrim”.

Ky vendim parashikon në mënyrë të detajuar procedurat dhe rregullat që ndiqen në rastin e këtyre rinovimeve ku përfshihen kushtet ligjore që duhen përmbushur për rinovimin e autorizimit individual, procedurat që ndiqen nga AKEP-i për  kërkesat për aplikimin, raportin e vlerësimit të AKEP-it, mënyrën e përcaktimit të çmimit referencë nga AKEP si dhe procedurën e negocimit.

Procesi i rinovimit të Autorizimit Individual në rastin e sipërmarrësit  AMC-së është kryer në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi bazuar në nenin 73 të ligjit Nr. 9918 datë 19.5.2008 i ndryshuar dhe në VKM-në nr. 496, datë 22.7.2014.

Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike pas dërgimit të Raportit të Vlerësimit nga AKEP-i dhe propozimit për çmim reference ngriti Komisionin e Negocimit sikurse parashikohet në VKM-në nr. 496 date 22.7.2014.

Komisioni kryesohej nga Ministri Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe kishte anëtarë nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Komisioni kishte për detyrë  të negocionte vlerën e pagesës dhe mënyrën e pagesës.

Komisioni ka filluar negocimin mbi bazën e çmimit referencë të propozuar nga AKEP-i dhe gjatë negocimit është konsideruar maksimalisht përmbushja e objektivave të politikësë sektorit dhe programit të zhvillimit ekonomik të vendit.  Pas një sërë takimesh negociuese me sipërmarrësin e komunikimeve elektronike, palët ranë dakord:

Për rinovimin e autorizimit individual të përdorimit të frekuencave GSM 900 dhe GSM 1800 të sipërmarrësit të komunikimeve elektronike Albanian Mobile Communications sha në vlerën  10.9 milionë euro, e cila do të derdhet në Buxhetin e Shtetit në dy këste, respektivisht në muajin Janar 2015 dhe në muajin Qershor 2015.

Këto elemente u përfshinë në Aktin e Dakordësisë, i cili u dërgua pranë AKEP-it për vijimin e kryerjes së procedurave standarde dhe dhënien e Autorizimit sipas ligjit nr. 9918 datë 19.5.2008 dhe akteve nënligjore në fuqi.

Me vendimin nr. 2536, datë 15.01.2015 të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare është miratuar rinovimi i Autorizimit Individual për përdorimin e frekuencave të brezit 900 dhe 1800 të sipërmarrësit AMC sh.a me një kohëzgjatje 15 vjeçare sipas parashikimeve ligjore në fuqi.