Postuar më: 14 Tetor 2013

Në dialog pa kushte

Qeveria ripërsëriti sot, thirrjen për dialog pa kushte ndaj opozitës, lidhur me Ligjin “Për Nëpunësin Civil”. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito rikonfirmoi përmes një deklarate për shtyp, vullnetin e Qeverisë dhe të Kryeministrit Edi Rama për të mbajtur një tryezë me opozitën dhe për të dialoguar pa kushte mbi pazbatueshmërinë e këtij ligji.

Më poshtë, e plotë deklarata për media e Ministres Harito:

 

“Jemi të keqardhur që reagimi i PD-së nuk i hap rrugë dialogut, po vetëm mbyll rrugën për dialog. Qeveria kërkon tryezë për të diskutuar mbi pazbatueshmërinë e ligjit nr. 152 të vitit 2013 “Për Nëpunësin Civil” dhe PD thotë “tërhiqni aktin normativ që të dialogojmë!” Po për çfarë të dialogojmë në këtë rast, nëse nuk dialogojmë se si ta bëjmë të zbatueshëm ligjin?

Nëse opozita mendon se ligji është i zbatueshëm, le të vijë në tryezë dhe të na japë argumente për këtë. Nëse opozita mendon se pavarësisht se ligji s’është i zbatueshëm, ne nuk duhet të bëjmë asgjë, atëherë le të vijë në tryezë dhe të dëgjojë se pse ky nuk është opsion për ne.

Nëse opozita mendon se pavarësisht thelbit të çështjes, ajo duhet vetëm të thotë jo, atëherë ne i kujtojmë se kemi shumicën konsensuale që parashikon Kushtetuta, me 84 vota dhe sigurisht, nëse opozita nuk do as dialog e as zgjidhje, ne do vëmë në lëvizje shumicën që disponojmë, por deri të enjten ka ende kohë për reflektim, ballafaqim, mirëkuptim.  Prandaj, të dialogojmë pa kushte.  S’ka dialog me kushte. Ne s’kemi kushte. Ne themi “ejani të flasim dhe dëgjojmë njëri - tjetrin.”

Mbase ju na bindni nëse keni një alternativë, mbase ne ju bindim nëse ju dëgjoni pa paragjykime argumentet tona, mbase edhe asgjë nuk ndryshon, por pa dialog është e sigurt që asgjë nuk ndryshon.

Kështu që, ne përsërisim thirrjen për dialog dhe unë jam këtu për të rinënvizuar vullnetin e Qeverisë e të Kryeministrit, për t’u ulur në bisedime përpara të enjtes. Në të kundërt, sigurisht që ne do votojmë Aktin Normativ të enjten, me 84 votat e kërkuara nga Kushtetuta.

Filozofia jonë është e shpallur: Gati për të dëgjuar, gati për të udhëhequr. Do ta dëgjojmë opozitën dhe do dëgjojmë çdo grup interesi në çdo rast, kur do marrim një vendim, por ama do udhëheqim duke vendosur, sepse jemi votuar pikërisht për këtë.”