Postuar më: 20 Nëntor 2015

Mirëmbajtja e rrjeteve numerike të RTSH, e ndarë nga kontrata për ndërtimin e këtyre rrjeteve

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj.Milena Harito përmes një deklarate për shtyp ka sqaruar opinionin publik mbi çështjen e marrëveshjes që RTSH ka lidhur për mirëmbajtjen e rrjeteve numerike që do të ngrihen nga kompania Rohde Schwarz. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të MIAP:

 

Marrëveshja e mirëmbajtjes për rrjetet numerike të RTSH është një dokument i ndarë nga kontrata për ndërtimin e këtyre rrjeteve.

Lidhja ose jo e një marrëveshjeje për mirëmbajtjen është vendimarrje e RTSH si institucion i pavarur, në funksion të nevojave dhe kapaciteteve dhe nuk përfshihet në fushën e përgjegjësisë të Ministit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Kontrata për ndërtimin e rrjeteve numerike të RTSH është firmosur nga kontraktori Rohde Schwarz, RTSH dhe Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, pas njohjes nga autoriteti kontraktor i renditjes të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sipas vendimit të Gjykatës.

Negocimi dhe draftimi i termave të kontratës është kryer në përputhje të plotë me elementët e përcaktuar në dokumentet e tenderit si dhe në parashikimet e ofertës fituese.

Në këto kushte MIAP negocioi dhe firmosi një kontratë, në të cilën ndër të tjera parashikohej se:

1) Marrëveshja për Mbështetjen teknike dhe Mirëmbajtjen do të negociohej dhe firmosej ndërmjet Kontraktorit dhe RTSH-së si dhe do të mbulohej nga një dokument i veçantë.

2) Kostot e kësaj marrëveshjeje për shërbim të mirëmbajtjes janë të ndara nga vlera e projektit të kontratës dhe do të përcaktohen në kontratën e veçantë midis RTSH dhe Kontraktorit.

3) Në rastin e një marrëveshjeje mirëmbajtje ndërmjet RTSH dhe Kontraktorit, kontrata e firmosur nga MIAP parashkon se kontraktori do të ofrojë Marrëveshjen e Mirëmbajtjes në terma jo më pak të favorshme për RTSH se ato që janë në dokumentacionin e tenderit.