Postuar më: 18 Tetor 2013

Konkurencë dhe meritë në themel të Administratës Publike

Në përmbushje të angazhimit të Qeverisë për një administratë publike të bazuar tek merita, ka nisur organizimi i konkurseve të hapura për t’i dhënë mundësinë të rinjve dhe burrave e grave të aftë të vendit për të shërbyer në Administratën Publike.

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, siguroi sot, edhe në emër të Kryeministrit, se do të zhvillohet një proces me rregulla shumë të forta, me konkurrencë të lirë dhe me rezultate të bazuara vetëm dhe vetëm mbi meritën.

Më poshtë deklarata për shtyp e Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito:

Organizimi i konkurseve të hapura, për t’i dhënë mundësinë të rinjve, burrave e grave të zotë të këtij vendi, të shërbejnë në Administratën Publike është një nga zotimet kyç të programit tonë qeverisës, siç e dini të gjithë.

Konkurrenca e lirë dhe merita janë vlera udhërrëfyese për ne. Më të talentuarit, më profesionistët, më të aftët, që janë nëpërkëmbur gjithë këto vite nga militantizmi absurd që mbolli Partia Demokratike në Administratën Publike, do të kenë mundësinë të provohen për të qenë pjesë e administratës, në këtë periudhë të veçantë të historisë, ku ne duhet të provojmë edhe përpara Bashkimit Evropian që Administrata Publike bazohet, për ne, tek merita.

Që këtë javë kemi filluar konkurset e para në pozicione që nuk janë pjesë e Shërbimit Civil sipas ligjit aktual, por që do të jenë pjesë e Shërbimit Civil sipas ligjit të ri. Kjo do të thotë që ne kemi nisur të funksionojmë tashmë, sipas frymës së ligjit të ri dhe konsensusit të përbashkët, mbi faktin se merita duhet të përcaktojë vendin e gjithkujt në administratë.

Këto konkurse janë hapur fillimisht në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe në disa institucione në varësi të Ministrisë së Kulturës. Vullneti ynë është pikërisht që të mbështetemi në vijën logjike të ligjit të ri “Për Nëpunësin Civil”, sa herë që kjo është e mundshme, deri në shtrirjen e plotë të efekteve të tij, në prill të vitit 2014. Kandidatët kanë nisur të lajmërohen nëpërmjet faqeve zyrtare të institucioneve, por edhe nëpërmjet bazës së të dhënave online, e cila po shndërrohet në një bazë shtetërore të dhënash nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Mbi 100 kandidatura janë përgjigjur vetëm për 4 vende pune.

Sot dua t’ju lajmëroj edhe për diçka tjetër. Nga situata e shqyrtuar në administratën tatimore rezulton se në plot 150 vende, në të gjithë Shqipërinë, nuk është respektuar asnjë procedurë ligjore për shërbimin civil në këtë administratë. Kështu që, në javën e ardhshme do të fillojmë gradualisht konkurset për këto vende pune, për të cilat sërish do të bëhen njoftimet e drejtpërdrejta edhe nëpërmjet bazës së CV online. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që institucionet e administratës fiskale janë jetike për financat e vendit. Qëllimi ynë është t’i japim fund historisë 20-vjeçare, ku profesioni i inspektorit tatimor në imagjinatën popullore e kishte humbur krejtësisht kuptimin fillestar, për t’u shndërruar në një gjobëvënës të paligjshëm të bizneseve për përfitime personale, që shkonin në të gjithë zinxhirin administrativ. Do t’i japim gjithashtu fund epokës kur vendet e punës në këto institucione paguheshin me shuma të majme. Sipas fushave dhe profesioneve, do të vazhdojmë të lajmërojmë të gjithë aplikuesit e bazës së CV online për hapjen graduale të këtyre konkurseve, pra në të gjithë Shqipërinë. Shpresojmë që të vijnë sa më shumë kandidatë.

Dua të siguroj, edhe në emër të Kryeministrit, se do të zhvillojmë një proces me rregulla shumë të forta, me konkurrencë të lirë dhe me rezultate të bazuara vetëm dhe vetëm mbi meritën. Më të mirët do të përzgjidhen, për të bërë një hap përpara në krijimin e gjeneratës tjetër të administratës në vend.

Ju faleminderit!