Postuar më: 14 Dhjetor 2015

Harito: E vërteta për procedurat e punësimeve në Shërbimin Civil

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito ka reaguar sot pas publikimit të një lajmi në portalin Lapsi.al lidhur me procedurat e punësimeve në Shërbimin Civil. Më poshtë deklarata e plotë e ministres Harito:

 

Pavarësisht se e konsideroj nga pikëpamja etike të pavend publikimin e email-it në fjalë, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kontribuan në botimin e tij, pasi ky email është prova më e mirë që tregon se ligji funksionon.

Në këtë rast lexohet qartësisht se ne nuk jemi nga ata që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Përkundrazi, siç e kemi thënë edhe publikisht, njësoj siç shkruhet edhe në email, në cilësinë e Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike të Partisë Socialiste, maksimumi i ndihmës që është ofruar edhe në këtë rast është trajnimi mbi procedurat dhe kërkesat e ligjit për nëpunësin civil.

Që të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë përpara ligjit dhe që nuk bëhet asnjë dallim partiak, e tregon qartë edhe fakti se numri i fituesve, siç lexohet edhe në email, është tejet i vogël.

Procedurat e ndjekura për rekrutimin e punonjësve në Shërbimin Civil janë krejtësisht transparente dhe të sigurta. Ato mund të kontrollohen në çdo kohë dhe nga kushdo person apo institucion i interesuar.

Mesazhi që unë u kam dërguar disa prej deputetëve të PS në dhjetor të vitit të kaluar vërteton më së miri këtë fakt. Në këtë mesazh u kërkohet deputetëve të caktojnë njerëz të përgatitur për të sqaruar procedurat e reja të aplikimit ndaj personave që drejtoheshin në zyrat elektorale për të kërkuar punë.

MIAP dhe DAP, që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri ”Për nëpunësin Civil”  kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh informuese për publikun, në të cilat jepeshin informacione të detajuara mbi mënyrën e aplikimit dhe procedurat e reja të zhvillimit të konkurseve.

Në këtë linjë informuese ministrja Harito ka shfrytëzuar edhe kontaktin e qytetarëve përmes zyrave elektorale të deputetëve, për t’i ndihmuar ata në njohjen më të mirë të procedurave të konkurrimit.

Fakti i pranuar publikisht se numri i fituesve të konkurseve ishte i ulët, është një tjetër provë e fortë që tregon se konkurset ishin dhe janë tërësisht të rregullta dhe transparente. Nëse konkurset do të ishin të paravendosura nuk do të kishte asnjë mundësi që numri i fituesve të ishte i ulët.

Zbatimi me rigorozitet i procedurave të rekrutimit të punonjësve në Shërbimin Civil është evidentuar qartësisht në Progres Raportin e KE për vitin 2015, në të cilin thuhet: “Vazhdoni të demonstroni proces transparent dhe meritokratik në rekrutimet dhe shkarkimet në Shërbimin Civil”.