Milena Harito

Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike

Milena Harito

Zonja Milena Harito lindi më 4 tetor 1966 në Tiranë. Ajo është e martuar me zotin Isidor Shteto dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.

Zonja Harito kreu me medalje ari shkollën e mesme të përgjithshme ”Sami Frashëri” në Tiranë dhe në vitin 1989 përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet e larta për Informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1993 kreu Diplomën e Masterit (DESS – Diplome des Etudes Superieures Specialisees) dhe në vitin 1997 mbrojti doktoraturën në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në Universitetin Paris VI në Francë.

Zonja Harito e nisi karrierën profesionale në vitin 1989 si Bashkëpunëtore Shkencore në Institutin e Informatikës në Tiranë. Duke filluar nga viti 1991, zonja Harito ka punuar si eksperte dhe menaxhere e lartë në sektorin e informatikës dhe të telekomunikacionit në Francë. Përvoja e saj përfshin punë në sektorin privat dhe atë publik, duke filluar me qendrën më të madhe kërkimore në fushën e telekomunikacioneve në Europë, CNET, pranë operatorit France Telecom në Paris. Më pas, zonja Harito u promovua brenda operatorit France Telecom – Orange duke drejtuar punën në Drejtorinë e Strategjisë e ngarkuar me marrëdhëniet me rregullatorin francez dhe europian. Në pozitën e saj si drejtore departamenti në disa sektorë të France Telecom – Orange që nga inovacioni deri tek implementimi i produkteve, zonja Harito ka hartuar programe të rëndësishme zhvillimi në fushën e teknologjisë së informacionit, inovacionit e komunikimit dhe ka udhëhequr një numër të madh ekspertësh e menaxherësh në zbatimin e tyre.

Zonja Harito ka kontribuar në debatin publik në Shqipëri në çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik të qendrueshëm, procesin e integrimit europian dhe zgjerimin e qeverisjes elektronike. Ajo u zgjodh deputete në Parlamentin Shqiptar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

Zonja Harito flet shumë mirë frengjishten dhe mjaft mirë anglishten dhe italishten.

Dokumentet e bashkangjitur