Konsultim publik për projektligjin “Për qeverisjen elektronike”

Qeveria është e angazhuar dhe ka punuar për shtimin dhe promovimin e shërbimeve elektronike për qytetarët, biznesin dhe administratën për përmirësimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve publike.

Stadi aktual i zhvillimit të shërbimeve publike elektronike si dhe zhvillimi i infrastrukturës dixhitale per komunikimet Qeveri Qytetar (G2C), Qeveri-Biznes (G2B) dhe midis vetë administratës publike (G2G), e bën të nevojshëm plotësimin e kuadrit ligjor me një ligj të posaçëm për e-qeverisjen.

Qëllimi i këtij projektligji është të përcaktojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e autoriteteve publike përsa i takon krijimit dhe ofrimit të shërbimeve të qeverisjes elektronike në Republikën e Shqipërisë. Ky projektligj ka si objektiv:

  • Përcaktimin e parimeve të përgjithshme të qeverisjes elektronike dhe infrastrukturës që e mundëson atë;
  • Rregullimin e marrëdhënies së ofrimit dhe marjes së shërbimeve elektronike duke përcaktuar të drejtat e personave fizikë dhe juridikë që janë përfitues të tyre si dhe detyrimet e autoriteteve publike në ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike dhe mënyrat e ofrimit të tyre;
  • Mirëfunksionimin dhe ndërveprimin e autoriteteve  përgjegjëse për qeverisjen elektronike si dhe ngritjen e infrastrukturës së shërbimeve të qeverisjes elektronike;

Projektligji “Për qeverisjen elektronike”, është në funksion të përmbushjes së programit politik të Këshillit të Ministrave në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, i cili lidhet me shtimin dhe promovimin e shërbimeve dixhitale, e-shërbimeve, për qytetarët dhe biznesin përmes konsolidimit të infrastrukturës dixhitale. 

Dokumentet e bashkangjitur