Konsultim publik për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike, të ndryshuar”" (Versioni II)

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” të ndryshuar”, propozohet nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” i ndryshuar, është në përputhje të pjesshme me Direktivën Nr. 2000/31/KE, “Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit, veçanërisht mbi tregtinë elektronike në tregun e brendshëm” e njohur si Direktiva për Tregtinë elektronike.

Zhvillimet teknologjike, rritja e përdorimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, e bëjnë gjithnjë e më të nevojshëm kuptimin e qartë të shërbimeve dhe veprimtarive që rregullohen nga Ligji Nr. 10128 datë 11.5.2009. Shërbimet e shoqërisë së informacionit, mbulojnë një gamë të gjerë veprimtarish ekonomike dhe shërbimesh që kanë tri karakteristika: ofrohen përmes mjeteve elektronike, ofrohen në distancë dhe kundrejt kërkesës së marrësit të këtyre shërbimeve.

Ky projektligj synon:

- Qartësimin e shërbimeve që përfshin fusha e veprimit dhe përkufizimi ligjor i shërbimeve të shoqërisë së informacionit për të pasur një zbatim më të mirë të dispozitave aktuale në fuqi për shërbimet e shoqërisë së informacionit;

- Plotësimin me afate që lidhen me zbatimin e rregullave në fuqi, dhe përcaktimin e organeve mbikëqyrëse të zbatimit të këtij ligji;

- Si dhe të përafrojë nenin 17 të Direktivës Nr. 2000/31/KE duke përfshirë dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen jashtë gjyqësorit të mosmarrëveshjeve që lindin në ofrimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit dhe tregtisë elektronike.

Dokumentet e bashkangjitur